Astrit Fazliu njihet si lojtar goxha optimist. Nuk pajtohet asnjëherë të ndahet baras. Humbjen as që dëshiron ta përjetojë ndonjëherë. Por, kur bëhet fjalë për kundërshtarin e Dritës së Gjilanit, Fazliut i duhet të pranojë se edhe barazimi do të jetë rezultat i kënaqshëm. Drita të entjën prej orës 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e luan ndeshjen ndaj Feynoordin të Holandës. Është edhe ndeshja e parë e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Fazliu pranon se përballja kundër skuadrës së njohur holandeze do të jetë shumë ndeshje e vështirë. Por ai uron që me ekipin e tij të arrijnë ndonjë rezultat të favorshëm të enjten mbrëma, ndeshje që do të luhet me praninë e shikuesve. Për Dritën do të jetë hera e parë që luan para shikuesve në Kosovë pas më shumë se një viti shkaku i situatës me koronavirus.
“Dihet që ndeshja kundër Feynoordit është një ndeshje shumë e fortë. Kuptohet që ata janë favorit, por ne do të provojmë të gjitha mundësitë tona dhe të shpresojmë në një rezultat pozitiv. Do të ishte diçka i mirë barazimi. Ne do të bëjmë të pamundurën që të paraqitemi sa më mirë në ndeshjen kundër Feynoordit, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, ka thënë Fazliu të mërkurën për KOHËN.
Drita e ka zhvilluar stërvitjen e fundit të mërkurën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”. Të martën pati shikues në ndeshjen që Prishtina e luajtur kundër kampionit të Uellsit, Connah’s, skuadër të cilën e mposhti 4:1. Edhe Llapi luajti me shikues si skuadra e parë e Kosovës. Rëndësinë e shikuesve e di fare mirë edhe Fazliu.
“Sigurisht se do të na ndihmojnë shumë shikuesit. Prezenca e tyre është e mirëseardhur. Kemi shikues të mirë dhe gjithmonë kanë qenë mbështetësit tanë kryesorë”, ka theksuar Fazliu.
Para Dritës stërvitje të mërkurën në Prishtinë ka zhvilluar edhe Feynoordi.
Trajneri i Feynoordit, Arne Slot, në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë ka vlerësuar pozitivisht ekipin e Dritës. Ai ka treguar anët e forta të nënkampiones së Kosovës.
“I kemi parë dy ndeshjet e fundit të Dritës dhe e dimë se çfarë na pret. Janë të rrezikshëm nga pozitat standarde, dhe nga dy lojtarët e krahut. Edhe mesfusha është po ashtu e mirë”, ka thënë Slot. Ndeshja në mes të Dritës dhe Feynoordit luhet të enjten prej orës 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. I takon raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.