Sport

Ferencvaroshi me ekipin më të fortë në “Fadil Vokrri”, Prishtina shpreson në fitore

Futbollistët e Prishtinës dhe të Ferencvaroshit e kanë kryer seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, para ndeshjes mes tyre që do të luhet të martën prej orës 20:00.

Prishtina dhe Ferencvaroshi do të përballen në ndeshjen e dytë të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kampioni i Hungarisë, Ferencvaroshi, ka avantazh të madh pas fitores në ndeshjen e parë në Budapest me rezultat 3:0.

Trajneri i Ferencvaroshit, Peter Stoger, ka thënë se ekipi që drejton është në rrugë të mirë që të kalojë tutje. Por, sipas tij, përqendrimi duhet të jetë maksimal që të kualifikohen në rundin e dytë kualifikues të Championsit.

“Jemi në pozitë te mirë, e kemi rezultatin 3:0. Por, ende s'ka përfunduar asgjë, i kemi edhe 90 minuta. Duhet të mbajmë motivin lart dhe përgjegjësinë maksimale dhe kemi mundësi të artë të kalojmë tutje. Gjithkush do të donte të ishte stadiumi i mbushur. Por, tani jemi mësuar me këtë atmosferë dhe nuk mund të themi se është apo nuk është avantazh për ne. Por, patjetër që do të dëshironim të ishin tribunat e mbushura me shikues. Shpresojmë shpejt të përmirësohet kjo situatë” tha Stoger në konferencën për media, njofton klubi Prishtina.

“Me e rëndësishme është të luajmë sigurt, shpejt, ta ruajmë topin. Dua të kontrollojmë më shumë situatën në mbrojtje, të mos na ndodhin lëshimet e ndeshjes së parë dhe që t'i shfrytëzojmë rastet e krijuara”.

Stogeri ka theksuar se ndaj Prishtinës do të paraqitet me ekipin më të mirë.

“Normalisht pres kundërshtar i cili do të rrezikojë më shumë, sepse nuk ka çfarë të humbasë pas rezultatit 3:0. Prishtina ka skuadër të mirë teknike, fizikisht është e fortë. Por, ne duhet të sillemi profesionalisht. Ne do të luajmë me përbërjen më të mirë, si gjithmonë, si në çdo ndeshje tjetër. Kjo është me rëndësi për mua, të luajnë futbollistët më të përgatitur të momentit”, përfundoi trajneri i ekipit hungarez.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Henry Wingo, mendon se përqendrimi duhet të jetë maksimal për të kaluar tutje.

“3:0 nga ndeshja e parë është rezultat i mirë, por kemi edhe 90 minuta për të luajtur. Duhet të mbajmë maksimalisht përqendrimin, të angazhohemi që të sigurojmë raundin tjetër, por e vërtetë, jemi në rrugë të mbarë. Nuk shoh epërsi apo disavantazh nga ndeshja pa shikues, sepse tani po bëhen një vit e gjysmë që jemi mësuar me një atmosferë të tillë, por me siguri që na mungon ndjenja e të luajturit para shikuesve. Krejt çfarë dëshiroj dhe pres është të jetë ndeshje e mirë”, u shpreh Wingo. Te Ferencvaroshi luan edhe futbollisti shqiptar, Myrto Uzuni.

E motivuar për ndeshjen e dytë është edhe kampionia e Kosovës, Prishtina.

Trajneri i kampiones kosovare, Zekirija Ramadani, ka thënë se fitorja ka rëndësi dhe dobi të madhe, edhe nëse nuk e arrijnë kualifikimin tutje.

Ai theksoi se eksperienca është pika më negative e ekipeve kosovare në arenën ndërkombëtare.

“Do të mundohemi të bëjmë paraqitje të mirë, sepse nuk kemi çka të humbim më tepër, vetëm fitojmë. Eksperienca e këtyre ndeshjeve na mungon dhe pikërisht kjo mungesë është që ne u mposhtëm me rezultat 3:0”, tha Ramadani.

Edhe mbrojtësi Besnik Krasniqi, thotë se synimi është paraqitja e mirë, ndërsa pranon se gjasat janë të vogla për të kaluar në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ende asnjë skuadër kosovare nuk e ka arritur kalimin në raundin e dytë të kualifikimeve të Championist.

“Edhe në Prishtinë synim do ta kemi paraqitjen sa më të mirë. Duhet të jemi realë që gjasat janë të vogla për ne, por do të hyjmë në fushë dhe të tregojmë se ajo ndeshje e mirë e luajtur nga ana jonë në Budapest nuk ishte befasi. Do të mundohemi të luajmë sa më mirë dhe të arrijmë ndonjë rezultat pozitiv”, u shpreh Krasniqi.