Sport

Drita mbështetet në përvojën ndërkombëtare, Llapi në unitet

 

Paraqitja në garat ndërkombëtare nuk është diçka e re për Dritën. Në edicionet e kaluara Drita mori pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Përvojën ndërkombëtare synon ta shfrytëzojë përballë skuadrës shqiptare të Malit të Zi, Deçiq. Për Deçiqin do të jetë hera e parë që merr pjesë në gara evropiane. Drita të enjten prej orës 20:00 e pret në stadiumin “Fadil Vokrri” Deçiqin, në kuadër të raundit të parë të Ligës së Konferencës, ndërsa rreth 90 kilometra larg Prishtinës, fituesi i Kupës së Kosovës, Llapi luan kundër skuadrës shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Shkupit. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Toshe Proeski Arena” në Shkup. Edhe për Llapin, si për Deçiqin, do të jetë hera e parë që merr pjesë në garat evropiane. Te Llapi mbështeten në unitetin në skuadër. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu e ka vlerësuar Deçiqin, por ka thënë se ekipi i tij është gati.

“Kemi bërë një fazë të mirë përgatitore, dhe lojtarët e rinj janë ambientuar me grupin. Kemi pasur kohë të mjaftueshme të analizojmë kundërshtarin, që është një ekip i mirë që ka bërë një vit të jashtëzakonshëm në Mal të Zi. Është ekip me lojtarë cilësorë, dhe që ka pranuar më së paku gola në kampionat. Ekipi ynë është gati për këtë ndeshje dhe pres reagimin e ekipit. Mendoj që grupi ynë ka aftësi dhe kualitet për të ecur tutje”, tha Nuhiu, që konfirmoi mungesën e Hamdi Namanit e Kastriot Rexhës për shkak të lëndimeve.