Sport

Funksionalizohet Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Kosovë

Sportistët që vlerësojnë se u bëhet e padrejtë – por edhe klubet, federatat, organizatat sportive dhe palët e treta të përfshira në sport – do ta kenë një adresë ku mund të ankohen dhe ta kërkojnë drejtësinë.

Tashmë Kosova është me Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (GJAS), e cila llogaritet funksionale.

Në fakt, më 25 mars ishte zgjedhur përbërja e re e Komisionit të Arbitrazhit Sportiv (KAS) prej nëntë anëtarësh. Ky komision e kishte formuar Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, por nuk kishte kompetenca të merrte vendime obliguese, për shkak të mungesës së Rregullores së punës, Rregullores mbi procedurat kontestimore të KAS-it dhe të përcaktimit të listës së arbitrave.

Këto rregullore tashmë janë miratuar në Kuvendin e Punës të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe kësisoj është hapur rruga të funksionalizohet ky organ, i cili vlerësohet shumë i rëndësishëm.

Rastin e vetëm që e kishte trajtuar Komisioni i Arbitrazhit Sportiv ishte një konflikt ndërmjet Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe klubit të volejbollit Luboteni.

Por, pavarësisht vendimit që kishte marrë paneli gjykues i Gjykatës së Arbitrazhit në favor të Lubotenit – që e sugjeronte FVK-në ta kthente klubin e volejbollit në Superligë – ai nuk u respektua nga Federata e Volejbollit e Kosovës, pasi vendimi nuk ishte obligues.

Kryetar i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv është zgjedhur Eroll Salihu. Ai është edhe Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s.

Nënkryetar është zgjedhur Armend Krasniqi nga Federata e Kërlingut, kurse sekretare Jehona Shyti, juriste e cila thuhet se vjen nga Federata e Lundrimit. Anëtarë të Komisionit janë: Imer Beka (kikboks), Jeton Oruqi (pingpong), Korab Sejdiu (basketboll), Visar Alimehaj (volejboll), Ilir Krasniqi (peshëngritje) dhe Fisnik Salihu (golf).

Komisioni i Arbitrazhit Sportiv e formon Gjykatën e Arbitrazhit. Kryetari i KAS-it e emëron një arbitër, që e udhëheq rastin në Gjykatë, kurse maksimumi mund të jenë tre arbitra, ku nga një caktohet nga palët e përfshira në konflikt.

Kryetari i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv, Eroll Salihu, ka thënë për KOHËN se anëtarët që janë zgjedhur janë juristë dhe profesionistë të fushës. Sipas tij, ky do të jetë mjeti i fundit juridik në Kosovë ku sportistët do të mund të ankohen dhe ta kërkojnë të drejtën e tyre.

“Ky komision ka ekzistuar, por nuk ka pasur kompetenca siç i ka tani. E kemi trajtuar një rast të cilin e kemi përfunduar, por vendimi nuk ka qenë obligues. Tani, anëtarët që janë zgjedhur janë profesionistë të fushës, pra juristë. Kryetari i Komitetit Olimpik na ka premtuar se nuk do të ketë interferenca. Ky komision është mjeti i fundit juridik në Kosovë që mund ta përdorin sportistët, federatat dhe palët e treta. Këtu do të sigurohet mbrojtja e palëve të dëmtuara. Unë jam edhe anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s dhe këtu nuk planifikoj të qëndroj gjatë. Vetëm dua që gjërat të bien në vendin e vet, të rregullohet çdo gjë, pra të funksionalizohet ky komision”, tha Salihu.

Sipas tij, për t’i zgjidhur rastet duhet të angazhohen arbitra (gjyqtarë) të cilët duhet të jenë profesionistë. Salihu thotë se angazhimi i tij nuk do të mungojë që të funksionalizohet gjithçka sipas planit.

“Do të ketë arbitra, pra gjyqtarë, që do t’i trajtojnë rastet e caktuara që vijnë në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv. Çdo ankesë në vendimet e Këshillit të Arbitrazhit sportiv shkon direkt në Arbitrazhin apo Gjykatën e Lozanës. Më herët nuk kanë pasur ku të ankohen, kurse tani e kanë adresën. Sigurisht do të jetë e komplikuar, por ata që do të jenë pjesë e saj duhet të kenë njohuri për këtë fushë, përndryshe pasojat mund të jenë të mëdha. Unë si kryetar do të angazhohem që çdo gjë të shkojë siç duhet”, deklaroi Salihu.

Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS) është institucioni më i lartë për ndarjen e drejtësisë në sportin kosovar dhe funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës, në bazë të Statutit të KOK-ut, si dhe Rregullores për procedurat e zgjidhjes së konflikteve përmes KAS-it, miratuar nga Asambleja e KOK-ut.

Sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka deklaruar për KOHËN se funksionalizimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv do të ketë rol shumë të rëndësishëm që të zgjidhen në mënyrë të drejtë konfliktet.

“Funksionalizimi i CAS-it është i rëndësishëm jo vetëm për sportistët, por edhe për federatat sportive, për klubet dhe gjithë sportin e Kosovës, sepse zgjidh të gjitha konfliktet mes federatave, klubeve ose edhe sportistëve. Në Asamblenë Zgjedhore të KOK-ut një ndër pikat ka qenë edhe zgjedhja e anëtarëve të KAS-it, ku janë zgjedhur 9 anëtarë (juristë) të KAS-it, të propozuar nga federatat sportive të Kosovës. Anëtarët kanë mbajtur dy takime, ku në takimin e parë e kanë konstituuar KAS-in për mandatin 2021 – 2024, ndërsa në takimin e dytë kanë zgjedhur strukturat drejtuese, që nënkupton kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarin e CAS-it”, ka thënë Haxhijaj.

Ai ka shtuar se komisioni ka mandat katërvjeçar, duke filluar më 25 mars të vitit 2021.