Sport

Juventusi ofron 30 milionë euro plus një lojtar për Locatellin

Manuel Locatelli (AP)

Forma fantastike me Sassuolon në edicionin e fundit në Serie A, e sidomos dy golat në “Euro 2020” me Italinë, kanë bërë që për Manuel Locatellin të interesohen klubet e mëdha evropiane.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Real Madrid, PSG, Manchester City dhe Borussia Dortmundi e kanë kontaktuar Sassuolo për Locatellin.

Ndërkaq, bëhet e ditur se Juventusi do të ofrojë 30 milionë euro, plus futbollistin 19-vjeçar Radu Dragusin.

23-vjeçari vlerësohet nga Sassuolo rreth 40 milionë euro.

Gjatë ditëve në vijim pritet që të ketë një takim mes drejtuesve të Sassuolos dhe të Juventusit, por theksohet se klubi italian nuk do të ngutet që të vendosë shpejt për shitjen e Locatellit, pasi interesimet për të janë të shumta.

Raportohet se Locatelli e ka informuar klubin e tij se nuk dëshiron të diskutojë çështjet e transferimit gjatë “Euro 2020”. Ai do të vendosë pasi të përfundojë Kampionati Evropian.