Sport

Organizatorët e LO “Tokio 2020” hapin “Fshatin Olimpik” për mediat

Organizatorët e Lojërave Olimpike “Tokio 2020” kanë hapur fshatin e sportistëve për media, duke treguar apartamentet dhe gjithë kompleksin ku do të qëndrojnë afro 11 mijë sportistë gjatë ngjarjes së madhe sportive, raporton agjencia AP.

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” është paraparë të mbahet më 23 korrik. Ngjarja e madhe sportive ishte shtyrë për një vit shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Japonia ka evituar shpërthime masive të virusit me të cilat janë përballur shtetet tjera nëpër botë. Por programi i vaksinimit masiv në Japoni ka ecur ngadalë.

Vendimi i Qeverisë së Japonisë për të organizuar Lojërat Olimpike është pritur me kritika nga spitalet dhe unionet e mjekëve në këtë shtet.

Një sportist nga Uganda, që arriti në Japoni të shtunën për përgatitje për Lojërat Olimpike ka rezultuar pozitiv me koronavirus, njofton transmetuesi publik japonez NHK.

Sportistët do të transportohen brenda dhe jashtë fshatit dhe do të testohen çdo ditë, siç ka njoftuar organizatori.

Në Lojëra Olimpike do të ndalohen këndimet e brohoritjet gjatë garave dhe do të kërkohet që sportistët të mbajnë maskat gjatë gjithë kohës me përjashtim kur janë në ambiente të jashtme, kur flenë apo kur hanë.

Në zonën tregtare në Fshatin Olimpik do të ketë bankomate, do të ketë pastrim kimik, zyrë postare, bankë ndër të tjera.

Kjo zonë e ndërtuar nga druri, që ka kushtuar 29 milionë dollarë, është ndërtuar nga 40 mijë copë druri të dhuruara nga 63 qeveritë komunale japoneze.

Kompleksi i banimit është ndërtuar për të pritur 12 mijë persona në 23 ndërtesa.

Në këtë kompleks ka shitore, një park dhe një shkollë. Këto ndërtesa do të përdoren për banim pas Lojërave Olimpike.