Sport

Halimi: Paraqitjen me Kosovën nuk do ta harroj kurrë

Betim Halimi ishte titullar me Kosovën në duelin miqësor në Antalya të Turqisë kundër Gambisë. Kosova e fitoi miqësoren ndaj shtetit afrikan me rezultatin 1:0 me golin e shënuar nga Arbër Hoxha.

“Besoj që ishte paraqitje pozitive. Kemi qenë ekip i ri dhe kemi stërvitur vetëm 3-4 herë së bashku. Kemi kaluar shumë mirë. Jemi paraqitur mirë në ndeshjen e dytë në Antalya. Kemi humbur 2:1 kundër Guinesë. Por, ka ndikuar edhe ndryshimi i klimës dhe skuadra nuk ka qenë shumë e komponuar bashkë. Në ndeshjen e dytë, edhe si grup ka qenë atmosferë e jashtëzakonshme, e pabesueshme edhe për stafin se çfarë atmosfere ka pasur brenda skuadrës”, tha Halimi.

Halimi nënvizoi se për Kosovën nuk është debutim i vonuar, ndërsa shtoi se do ta pranojë ftesën e Kosovës sa herë që ajo të vijë.

“Në momentin që pranon ta përfaqësosh vendin, duhet t’i pranosh të gjitha. Nuk ka kushte. Është vendim i trajnerit se kush luan. Nuk ka rëndësi për mua a jam portier i parë, i dytë apo i tretë. Edhe në tribuna do të qëndroja. Po flas për vete, nuk ka kushte. Është krenari të jesh pjesë e Kosovës. Kam pasur shumë emocione, ka qenë ndjenjë e veçantë pasi ishte ndeshja e parë”, theksoi portieri i Olimpik Donetskut që bën gara në elitën e futbollit ukrainas.