Sport

Diasi flet për planin e Portugalisë në Evropian

Spanja mund të jetë e vetmja skuadër që e ka fituar dy herë rresht Evropianin, në vitin 2008 dhe 2012, por mbrojtësi i Portugalisë, Ruben Dias, beson se “Selecao das Quinas”, janë në rrugë të mirë për ta përsëritur atë sukses.

24-vjeçari nuk ishte i përfshirë në triumfin e portugezëve pesë vjet më parë. Ai ishte duke e përfaqësuar shtetin e tij në Evropianin U19-të.

Por, tani është pjesë e ekipit senior, dhe e kërkon me çdo kusht lavdinë në Evropianin e sivjetmë.

“Do të jetë e rëndësishme ta përsërisim rregullin që na çoi drejt triumfit në Euro 2016. Duhet të jetë e qartë në mendjen tonë dhe do të shkojmë në çdo ndeshje ta përfaqësojmë ekipin, shtetin. Nuk ka vend për ‘unë’ në ekip, duhet të jetë ‘ne’”, ka thënë Dias për sajtin zyrtar të UEFA-s.

Qendërmbrojtësi Dias vjen në këtë Evropian si fitues i Premier Leagues me Manchester Cityn, ndërsa e mori edhe epitetin e lojtarit më të mirë të elitës së futbollit anglez. Doli nënkampion i Evropës me Cityn, pasi u mposht në finale të Ligës së Kampionëve nga Chelsea.