Sport

Gjobë prej 22 milionë funte për gjashtë klube angleze

Gjashtë klubet e Premier Leagues që tentuan të hynin në Superligën e Evropës kanë pranuar së bashku gjobën prej 22 milionë funteve.

Arsenali, Chelsea, Liverpooli, Tottenhami, Manchester Unitedi e Manchester City, ishin afër që të bëheshin pjesë e Superligës në muajin prill, e të largoheshin nga Liga e Kampionëve, garë e organizuar nga UEFA.

Projekti përfshinte edhe tri klube nga Spanja dhe Italia, por që dështoi brenda 48 orësh. Klubet angleze u tërhoqën pas përplasjeve që i patën me tifozët e tyre dhe Qeveria.

Kjo gjobë nga Premier League u vlerësua të mërkurën si “gjest i vullnetit të mirë” dhe çmimi prej 3.6 milionë funte për secilin klub, do të investohet në tifozë, futbollin e fëmijëve dhe programet e komuniteteve.

“Ata me plot zemër u kërkuan falje tifozëve, klubeve, Premier Leagues dhe Shoqatës së Futbollit të Anglisë”, thuhet në njoftim.

Këto klube po ashtu pranuan që t’u hiqen 30 pikë dhe të dënohen me 25 milionë funte nëse provojnë t’i bashkohen ndonjë gare të ngjashme si Superliga në të ardhmen.