Sport

Vlera e madhe e medaljes botërore të Norës

Pas shumë medaljeve në kampionate evropiane, Nora Gjakova të martën ka fituar edhe medalje në Kampionat Botëror. 28-vjeçarja fitoi të bronztën në ngjarjen globale që po mbahet në Budapest të Hungarisë.

Nora shkëlqeu gjatë ditës në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa një moment i keq në gjysmëfinale e la jashtë luftës kryesore. Por u kthye fuqishëm në luftë për vend të tretë dhe i solli vendit medalje të rrallë nga Kampionati Botëror.

Secila medalje në Botërorin dhe Evropianin për seniorë ka vlerë të jashtëzakonshme për Kosovën, por edhe për vendet e tjera. Në të vërtetë xhudistët kosovarë e kanë ngritur aq lart standardin saqë medaljet e tyre ndonjëherë duket se nuk e kanë vlerësimin e duhur në vend.

Medalja e fituar nga Nora të martën, megjithatë, ka vlerë të shumëfishtë. Për këtë pajtohet edhe trajneri Driton Kuka, nxënësit e të cilit sjellin medalje në Kosovë nga çdo ngjarje e nivelit më të lartë.

Nora ka pasur një lloj bllokade në kampionate botërore. Të martën, më në fund, e ka kaluar atë. Ajo ka kohë që paraqitet në nivel të lartë dhe fiton medalje në të gjitha garat e xhudos. Ka gjashtë medalje evropiane, prej tyre një të artë. Ka fituar edhe plot gara të tjera, por gjendja ndryshonte kur vinte botërore. Tri herë kishte përfunduar e shtata dhe tani ka edhe medaljen. Pra Nora e ka kaluar bllokadën që e kishte për një kohë të gjatë.

Këtë e ka arritur në Botërorin që nuk ishte në kohën më të mirë. Për shkak të fokusit për të qenë në top-formë në Olimpiadë, në javën e fundit të korrikut, xhudistët e Kosovës nuk ishin në formën më të mirë për Botëror. Trajneri Kuka ka tempuar formën në atë mënyrë që kulmi të arrihet në Lojërat Olimpike. Dhe rrjedhimisht xhudistët e tij nuk ishin në gjendjen më të mirë fizike në Budapest. Kuka kishte vlerësuar se xhudistët do të jenë në 60-70 për qind të formës në Botëror.

Vlerë tjetër e medaljes është që xhudistët kanë vazhduar të sjellin medalje nga secila ngjarje ku paraqiten, pra edhe kur nuk janë në gjendjen më të mirë. Nora edhe një herë ka konfirmuar nivelin e lartë, ndërsa ka dhënë shenja se është gati për të zënë vend në podium edhe në Lojërat Olimpike.

“Të gjitha këto qëndrojnë”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN, pak çaste pasi Nora Gjakova u ngjit në podium për të vendosur në gjoks medaljen më të rëndësishme të saj deri më tani.

“Qartë se Nora kaloi një barrierë të rëndësishme. Tash e di se ka cilësi për medalje olimpike. Në fakt kjo asnjëherë nuk është vënë në dyshim”, ka theksuar Kuka.

Ai pranon se medalja merr dimension tjetër, më të rendësishëm, për shkak të momentit se kur mbahet Botërori, pak javë para Lojërave Olimpike.

“Është medalje me vlerë marrë parasysh momentumin e Botërorit. Po të shikohet paraqitja e Norës dhe Distria Krasniqit kuptohet lehtë se Botërori nuk ishte në momentin e duhur për ekipin tonë, duke ditur se fokusi është në Lojërat Olimpike. Pra gara ishte pak me rrezik për ne. Por ky është suksesi më i madh në karrierën e Norës. Për mua është sukses i madh. Dashtë Zoti që edhe në Tokio të kemi medalje. Ky ekip e meriton. Punon shumë për të qenë në nivel të vazhdueshëm. Secili prej garuesve i takon nivelit serioz ndërkombëtar”, ka shtuar Kuka.

Të dielën, Distria Krasniqi u rendit e pesta. Të martën Akil Gjakova e Flaka Loxha u ndalën në luftërat e dyta. Të mërkurën garon Laura Fazliu, ndërsa Majlinda Kelmendi e Loriana Kuka nuk marrin pjesë në Botëror.

Falë medaljes së Norës, tashmë Botërori është ngjarje e suksesshme. Por nuk përjashtohet mundësia që edhe Laura të ketë plasman të mirë.

Nora për medalje të bronztë e mposhti serben Marica Perishiq, ndaj së cilës dominoi plotësisht. Për një pjesë të adhuruesve të xhudos në vend, kjo ka rëndësi të veçantë.

“Gjakova imponoi mënyrën e saj të xhudos dhe ndërtoi aksione. Pas gjysmës së luftës, Nora nuk kishte pikë, por Perishiq i kishte dy dënime. Ishin edhe pak sekonda deri në fund, kur Nora në skaj të tatamit realizoi hedhje për ta fituar medaljen e parë të bronztë në këtë nivel”, ka shkruar sajti zyrtar i IJF-së.