Nora Gjakova prej orës 17:00 e kërkon medaljen e parë në kampionate botërore. Xhudistja e suksesshme kosovare për medalje të bronztë takohet me serben Marica Perishiq. Nora ka arritur deri në gjysmëfinale të kategorisë deri 57 kilogramë, ku u ndal nga kanadezja Jessica Klimkait.
Ndërkohë Perishiq te lufta me Norën arriti përmes repesazhit. Nora deri më tani tri herë është përballur me xhudisten serbe. E ka mposhtur në të tri rastet. Fillimisht e mposhti në Abu Dhabi në tetor të vitit 2019. Dy herë e ka mposhtur këtë vit, në Mastersin në Doha dhe në Grand Slamin në Tbilisi. Nora Gjakova është e katërta në ranglistën botërore, ndërsa Perishiq e 24-ta.