Sport

Mayweather nuk arrin ta nokautojë yllin e YouTubet, Logan Paul në meçin ekzibicional

Boksieri legjendar Floyd Mayweather Jr ka thënë se ndoshta nuk do të zhvillojë më kurrë ndonjë meç tjetër ekzibicional, pasi ka dështuar të nokautonte yllin e YouTubet, Logan Paul në një meç ekzibicional të dielën mbrëma në Miami.

Meçi shkoi në tetë raunde, dhe pasi ishte ekzibicional nuk pati edhe fitues. Ndonëse Mayweather ishte dominues, ai dështoi ta nokautonte Logan Paulin. Për Logan Paulin ishte fitore morale. Ai kishte vetëm dy meçe, një si profesionist e një si amator.

Mayweather 44-vjeçar që në boksin profesionist ka përfunduar karrierën me bilanc perfekt 50-0, ka thënë se nuk mendon të bëjë meçe tjera.

“Doja t’u ofroja njerëzve një spektakël dhe ai po luftonte për të mbijetuar. Ai ishte më i madh, kështu që me prejardhje nga mundja ishte i mirë për të më kapur. Vetëm shkuarja në tetë raunde ishte fitore për të. Ai di të kap dhe ishte i mirë në këtë. Kur një person i madhësisë së tillë të kap, atëherë është e vështirë ta largosh. U argëtova, dhe ai po ashtu. Ishte mirë. Unë do të futem në Hollin e të Famshëmve. Nuk kam asgjë për të dëshmuar. Nëse janë të lumtur me kapje dhe mbajtje për tetë raunde atëherë mirë. Shpresoj që tifozët të jenë të kënaqur. A do të bëjë një rikthim në boks? Jo assesi. Jam pensionuar nga boksi. Ndoshta nuk do të bëjë më as meçe ekzibicionale”, ka thënë Mayweather pas meçit, raporton Koha.net. 

Logan Paul ishte i lumtur me meçin.

“Është një nga momentet më të mira të jetës sime. Jam shumë i lumtur. Ishte nder të jem në ring me të. Jam i lumtur që ia dola. Ai është ndoshta i vjetër, por është vështirë ta godasësh. Nuk e di se çfarë do të bëjë pas meçit. Do të shkoj ndoshta në plazh. Sa për meç të dytë. Nuk e di duhet ta shohë të përmirësohem fillimisht”, ka thënë Logan Paul.