Sport

Chelsea fiton derbin me Leicester Cityn

Chelseat i ka takuar ndeshja e rëndësishme për kualifikim në Champions.

Të martën mbrëma në kuadër të xhiros së parafundit (37) të Premier Leagues, Chelsea fitoi 2:1 ndaj Leicester Cityt. Me fitore, Chelsea renditet në vend të tretë me 67 pikë.

Leicesteri bie në vendin e katërt me 66 pikë. Liverpooli rrezikon Leicesterin për pozitën e katërt. Liverpooli i ka 63 pikë nga 36 ndeshje, kurse nesër takohet me Burnleyn.

Antonio Rudiger shënoi për 1:0 në të mirë të Chelseat në minutën e 47-të. Për 2:0 shënoi Jorginho në minutën e 67-të, nga pika e bardhë. Kelechi Iheanacho i dha shpresë Leicesterit me golin e shënuar në minutën e 76-të. Por gola tjerë nuk pati.

Në fund kishte tension dhe një tollovi ku u përfshinë shumë lojtarë.

Më herët të martën, Brightoni fitoi 3:2 ndaj Manchester Cityt, kampionit të Anglisë.

Leandro Trossard, Adam Webster dhe Daniel Burn shënuan për Brightonin, ndërsa Illkay Gundogan e Phil Foden shënuan për Cityn.

Sulmuesi kosovar, Andi Zeqiri luajti prej minutës së 65-të për Brightonin.