Sport

Konfirmohet kthimi i Benzemas te Franca

Ylli i Real Madridit, Karim Benzema, është konfirmuar në ekipin e Francës për “Euro 2020”.

Seleksionuesi Didier Deschamps të martën ka publikuar listën me emrat e 26 lojtarëve në të cilët llogarit për Evropianin e futbollit që mbahet prej 11 qershorit deri më 11 korrik.

Franca është kampione në fuqi e botës dhe synon suksesin në Evropian.

Gola priten prej Benzemas, që ka treguar formë të lartë te Real Madridi. Ai është njëri prej tetë sulmuesve të ftuar.

Benzema, 33-vjeçar, ishte larguar nga përfaqësuesja në nëntor të vitit 2015, për shkak të përfshirjes në një skandal.

Dyshohet që ai kishte shantazhuar një bashkëlojtar.

Benzema ka 27 gola në 81 ndeshje me Francën. Për Real Madridin ka shënuar 29 gola këtë edicion.