Sport

Figueroa nokauton Neryn, fiton edhe titullin e dytë të botës në kategorinë super-bantam

Boksieri amerikan Brandon Figueroa e ka nokautuar meksikanin Luis Nery në raundin e shtatë, duke unifikuar dy tituj të mëdhenj në kategorinë super-bantam në boksin profesionist.

Figueroa ia ka shtuar titullin WBC, titullit WBA që e kishte në pronë.

Deri në raundin e shtatë rezultati ishte i barabartë. Një nga anëtarët e jurisë e kishte parë si të barabartë luftën deri në atë moment, ndërsa një tjetër e shihte Neryn në epërsi dhe i treti e shihte Figueroan.

Por, Figueroa i dha një goditje të fortë në trup Neryt nga e cila ai nuk arriti të ngrihej brenda dhjetë sekondave.

Për Figueroan është fitorja e 22-të në karrierë, 17-ta me nokaut, karshi një barazim. Meksikani Nery ka pësuar humbjen e parë pas 31 fitoreve.