Sport

Malisheva e Ulpiana sigurojnë Superligën, Flamurtari e Dukagjini në barazh

 

U prit me bujë të madhe dhe u përgëzua lajmi që Kohavisioni do t’i transmetojë disa nga ndeshjet kryesore të Ligës së Parë, që është rangu i dytë i futbollit kosovar. Shtatë prej tyre u transmetuan me sukses, duke marrë komente pozitive për ngritjen e futbollit të një rangu më të ulët, që është përcjellë pak, për të mos thënë fare. Megjithatë, Kohavisioni me gjithë angazhimin në javën që po lëmë pas, nuk arriti që ta transmetojë asnjë prej atyre që ishin më kryesore e që vendosën për titullin e kampionit në xhiron e fundit të këtij sezoni në të dy grupet. Skuadra e Vëllaznimit si vendase e lejoi në fakt Kohavisionin që t’ia transmetojë duelin e fundit kundër Malishevës, por kërkoi 20 mijë euro dëmshpërblim për transmetimin e kësaj ndeshjeje. Malisheva doli kampione, pasi fitoi dhe e përfundoi edicionin si e para në Grupin A.

KTV-ja provoi që ta bënte të mundur edhe transmetimin e duelit mes Ramiz Sadikut dhe Ulpianës. Drejtuesit e ekipit vendës nuk pranuan që ky duel të transmetohet. Madje, iu tha se nuk do të lejohet as një kamerë, pa transmetues direkt. Edhe Ulpiana u bë kampione në Grupin B, pasi fitoi 2:1 në Prishtinë. Për shkaqe teknike, në mungesë të internetit dhe vendeve për vendosjen e kamerave, KTV-ja nuk arriti ta realizonte transmetimin e njërës prej ndeshjeve mes Vllaznisë së Pozheranit e Flamurtarit, si dhe Trepçës e Dukagjinit, përkundër që kryesitë e dy klubeve u pajtuan dhe ishin të gatshme për bashkëpunim. Flamurtari, Malisheva dhe Vushtrria kanë qenë klubet më bashkëpunuese.