Sport

Qyteti japonez që bën tifo për Sudanin Jugor në Lojërat Olimpike

Herën e parë që Abraham Majok Matet Guem mori pjesë në një garë në shtegun e atletikës, ai vrapoi me këpucët e zeza të shkollës. Guem - tani një atlet olimpik 21-vjeçar që përfaqëson Sudanin e Jugut - ishte aq i shpejtë, saqë menjëherë i ra në sy një trajneri, i cili i bleu atij këpucë vrapimi dhe veshje sportive.

“I përdora ato për disa vjet. Nuk kishte asnjë mënyrë tjetër që unë të bëhesha me këpucë vrapimi pasi nuk kisha para për t’i blerë ato”, tha Guem për trajnerin Blake Essig.

Por, si një atlet premtues që ishte, ndërhyri shkolla e tij e mesme duke i dhënë një bursë dhe duke i dhënë hua këpucë për vrapim, të cilat Guem ia dha studentit tjetër pasi u diplomua.

Për atletët aspirues të Sudanit të Jugut, trajnimi ka qenë gjithmonë një sfidë. Shumë prej tyre, tha Guem, përpiqen të marrin një vakt ushqimi në ditë përkundër që stërviten në terrene shkëmbore.

“Unë mendoj se rreth 60 për qind të atletëve nuk kanë as një palë këpucë, kështu që ata kryesisht vrapojnë zbathur”, tregoi Guem.

Në vitin 2011, Sudani i Jugut fitoi pavarësinë dhe u bë shteti më i ri në botë. Por lufta civile që shpërtheu dy vjet më vonë, la 400 mijë njerëz të vdekur dhe detyroi miliona tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre për të krijuar krizën më të madhe të refugjatëve në Afrikë dhe të tretën më të madhe në botë pas Sirisë dhe Afganistanit.

Pavarësisht nga vështirësitë, vrapimi e mbajti Guemin me shpresë. Në Lojërat e Afrikës të vitit 2019 të mbajtura në Marok, ai theu rekordin kombëtar të Sudanit të Jugut në 1500 metra vrapim dhe u zgjodh të bëhej pjesë e ekipit olimpik për vendin e tij. Që nga nëntori i vitit 2019 ai dhe tre atletë të tjerë të Sudanit të Jugut së bashku me trajnerin e tyre, kanë jetuar dhe stërvitur në qytetin e vogël japonez Maebashi, që është rreth dy orë larg Tokios. Derisa shumë qytete japoneze që u regjistruan për të pritur ekipe olimpike janë detyruar të rivlerësojnë planet e tyre për shkak të pandemisë, Maebashi bën përjashtim. Pasi pandemia bëri që Lojërat Olimpike “Tokio 2020” të shtyhen për një vit, qyteti me 350 mijë banorë mblodhi gati 300 mijë dollarë dhe donacione si këpucë vrapimi e veshje sportive, në dhjetor të vitit të shkuar, për të siguruar që olimpistët dhe trajneri i tyre nga Sudani i Jugut do të mund të qëndronin në Maebashi për të promovuar kauzën e tyre olimpike.

Sporti dhe uniteti

Guem tha se misioni i ekipit është të promovojnë rëndësinë e unitetit në shtëpinë e tyre, Sudanin e Jugut. Atleti tha se ai kërkoi të përfaqësonte krahinat e Sudanit të Jugut përveç në garat lokale dhe kombëtare edhe në ato ndërkombëtare.

“Unë kurrë nuk kam konkurruar për vendlindjen time ose qytetin tim, por gjithmonë për krahinat e tjera për të treguar dashurinë time për to dhe për të dëshmuar se të gjithë janë të barabartë”, tha ai.

Ky mendim është në përputhje me një festival sportiv të Sudanit të Jugut të quajtur “Dita e Unitetit Kombëtar”, i cili është bashkëorganizuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Bashkëpunimit Japonez (JICA), një agjenci qeveritare që mbështet zhvillimin në vendet e tjera, dhe Ministria e Kulturës e Sudanit të Jugut.

Në vitin e pestë, ajo ngjarje bashkon të rinj nga i gjithë Sudani i Jugut. Pjesëmarrësit vijnë nga fise dhe grupe të ndryshme etnike që mund të mos e shohin njëri tjetrin në sy për shkak të hasmërisë por festivali sportiv u siguron atyre një hapësirë ​​për të gjetur gjuhë të përbashkët. Të rinjtë, për shembull, të gjithë flenë në të njëjtën ndërtesë, darkojnë së bashku dhe mund të bashkëveprojnë lirshëm dhe të njihen me njëri-tjetrin, tha Guem, i cili mori pjesë në vitin 2016.

“Sporti është një faktor bashkues që është shumë i nevojshëm për një vend si Sudani i Jugut”, tha Guem. “Kur keni luftë, atëherë tërë kohën mbaheni larg njëri-tjetrit dhe nuk bashkoheni. Mirëpo festivali tashmë ua ka ndryshuar mendjen të gjithëve. Dhe kjo do të jetë kauza ime në Lojërat Olimpike”.

“Super-heronj”

Image

Në Japoni, Guem tha se ai dhe ekipi kishin gjetur një mjedis të qëndrueshëm për të punuar drejt qëllimit të tyre. Shtyrja e LO “Tokio 2020”, gjithashtu u dha atyre kohë të stërviten edhe më shumë. Michael Machiek – paralimpisti i parë i Sudanit të Jugut - tha se ai theu dy rekordet e tij personal gjatë qëndrimit në Japoni.

“Kjo më jep shpresë të shkoj dhe të garoj me atletët kryesorë në Lojërat Paralimpike dhe të kem një rezultat të mirë”, insistoi Machiek 30-vjeçar.

Përtej stërvitjes, olimpistët e Sudanit të Jugut kanë bërë atë që pak ekipe të tjera ndërkombëtare do të kenë mundësinë të bëjnë. Gjatë një viti e gjysmë të kaluar, ata kanë njohur banorët e qytetit Maebashi, morën pjesë në garat lokale ku fituan trofe dhe u trajnuan në lëndën kompjuterike duke ndjekur mësimin në shkollë katër herë në javë.

“Ata nuk duken si të huaj në Maebashi. Ata më shumë i konsiderojmë si anëtarë të komunitetit. Unë mendoj se ata shihen si super-heronj në qytetin tonë”, tha Shunya Miyata, koordinatorja e agjencisë JICA.

Kjo kohë e kaluar u ka ofruar olimpistëve të Sudanit Jugor edhe një bazë të fortë mbështetjeje. Deri më tani JICA ka shitur mbi tremijë fanella për të mbledhur fonde për atletët. Bizneset lokale gjithashtu kanë kontribuar në këtë aspekt. Shoqata dentare e qytetit Maebashi u zotua për kujdes falas gjatë gjithë qëndrimit të atletëve dhe dhjetë makineri shitëse janë vendosur në Maebashi për të mbështetur ekipin e Sudanit të Jugut.

Trashëgimia olimpike

Vitin e ardhshëm dy atletë që kanë luajtur rol aktiv në Ditën e Unitetit Kombëtar do të ftohen të kalojnë gjashtë muaj në qytetin Maebashi si pjesë e kampit stërvitor afatgjatë. Qëllimi është për t’u mbështetur brezi i ardhshëm i atletëve nga Sudani i Jugut, sipas Shinichi Hagiwaras, një zyrtar i qytetit Maebashi.

“Përmes atletëve të Sudanit të Jugut, ne kemi pasur mundësinë të mendojmë për idenë e paqes së bashku dhe të kuptojmë se ne mund të ndihmojmë në këtë aspekt”, tha Hagiwara. “Njerëzit në Maebashi do të bëjnë tifo për këta atletë në Lojërat Olimpike”.

Por me afrimin e shpejtë të Lojërave Olimpike - ceremonia hapëse është më 23 korrik - mbeten dyshime rreth asaj se si Tokio mund të mbajë një ngjarje masive sportive, të mbajë vullnetarët, atletët, zyrtarët dhe publikun japonez të sigurt nga Covid-19. Shqetësimet janë rritur dukshëm pasi Japonia po përballet me valën e katërt të koronavirusit. Vendi kaloi në 647 mijë raste totale të koronavirusit të mërkurën dhe disa qytete, përfshirë Tokion, janë në një gjendje të jashtëzakonshme deri në fund të këtij muaji. Deri më tani Japonia ka vaksinuar vetëm rreth 4.4 milionë nga 126 milionë banorët e saj. Mendimi për një tjetër shtyrje të Lojërave Olimpike është në mendjen e Guemit, por tani për tani ai po qëndron optimist.

“Ende më shqetëson sepse rastet duket se po rriten dhe shqetësimi është gjithmonë aty, por unë jam i sigurt që Lojërat Olimpike do të mbahen”, tha Guem, i cili dëshiron të inkurajojë të rinjtë e tjerë që të kanalizojnë energjinë e tyre në zhvillimin e Sudanit të Jugut. “Unë jam duke e bërë këtë për vendin tim, jo për veten time. Unë dua të sjell paqe në vendin tim”.