Sport

Pritjet e Çoriqit për Evropë

Kur portieri kroat Marijan Çoriq u prezantua te skuadra e Llapit në fillim të këtij viti, pritjet prej tij ishin të mëdha. Në njoftimin e Llapit, ndër të tjera, thuhej se portieri Çoriq do të ofrojë siguri më të madhe në portë dhe “skuadra do të ndihet më e qetë në ndeshjet e stinorit pranveror të Superligës dhe Kupës së Kosovës”.

Parashikimi i Llapit për Çoriqin (204 cm) doli të jetë i saktë, të paktën për ndeshjen më të rëndësishme të skuadrës. Ai ishte ndër më të merituarit që skuadra nga Podujeva e fitoi Kupën e Kosovës të mërkurën mbrëma.

Llapi e mposhti Dukagjinin (4:3) pas penalltive, kurse Çoriq priti dy penalltitë e fundit për t’ia siguruar ekipit trofeun e parë në histori. Ai fillimisht priti penalltinë e Ilir Sylës dhe pastaj atë të Altin Merlakut për festën e madhe të Llapit. Madje, Çoriq u përgëzua nga të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Llapit, të cilët e përqafonin pa ndalur. Për këtë portieri kroat ndihet krenar.

Në një intervistë për KOHËN, të enjten, Çoriq nuk i ka marrë meritat e këtij suksesi vetëm për veten. Ato i ka shpërndarë edhe me bashkëlojtarët, stafin dhe kryesinë e Llapit. Çoriq ka thënë se nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme, pasi si portier e ka për detyrë ta ndihmojë ekipin me pritje të tilla. Ai insiston se Llapi i ka merituar trofeun dhe daljen në Evropë për sezonin e ardhshëm.

“Ky është një trofe shumë i rëndësishëm për Llapin, pasi është i pari në historinë 89-vjeçare të klubit dhe për këtë sukses nuk i kam meritat vetëm unë, por i gjithë klubi, përfshirë këtu bashkëlojtarët, shtabin teknik dhe kryesinë. E them këtë për shkak se të gjithë kemi punuar shumë për këtë trofe”, është shprehur Çoriq.

Ai insiston se kur i është bashkuar Llapit e ka ditur shumë mirë se synimi i klubit për këtë edicion është të fitohet Kupa e Kosovës, gjë që e ka besuar personalisht kur ka parë potencialin e ekipit.

“Kur erdha te Llapi synimi i vetëm ka qenë Kupa e Kosovës. Dhe prej momentit të parë që kam dalë në stërvitje me ekipin kam besuar se mund të arrijmë këtë sukses. E kemi merituar plotësisht këtë trofe, pasi gjatë rrugës kemi eliminuar kundërshtar të fortë”, ka shtuar Çoriq. Para fitores ndaj Dukagjinit të kategorisë së dytë, Llapi i ka eliminuar Ballkanin në 1/8 e finales, Trepçën ’89 në çerekfinale dhe Prishtinën në gjysmëfinale të Kupës. Pra ka pasur kundërshtarët e nivelit më të lartë. Por ndaj Dukagjinit ka vuajtur goxha shumë.

Çoriq ka pranuar se nuk ka besuar se finalja e Kupës do të vendoset pas penalltive. Në fakt ai ka qenë i bindur se Llapi do të mund ta kryente punën gjatë 90 minutave. Kjo ka qenë edhe arsyeja që Çoriq nuk ka stërvitur fare penalltitë në seancat stërvitore të Llapit para finales me Dukagjinin.

Koha e rregullt e takimit përfundoi pa gola derisa pas vazhdimeve rezultati ishte 1:1. Kur ndeshja shkoi në penallti, Çoriq automatikisht e ka kuptuar se përgjegjësia do të jetë mbi të. E dinte shumë mirë se të gjithë te skuadra e Llapit do të mbështeteshin tek ai, pasi askush nuk dëshironte që të përsëritej episodi i vitit 2017 kur llapjanët pësuan në finalen e Kupës nga Besa pikërisht pas penalltive.

“Realisht jo vetëm që kam besuar, por kam pritur që ndeshjen ta mbyllim para vazhdimeve, që do të thotë se penalltitë as që i kam parashikuar. Por për këtë duhet përgëzuar edhe ekipin e Dukagjinit, që pati një paraqitje fantastike”, thotë Çoriq. “Penalltitë nuk i kam stërvitur fare, sepse gjithmonë bazohem në ndjenjat e mia. Kështu që kur ndeshja shkoi në penallti isha i sigurt se mund të bëja pritje të rëndësishme. Sigurisht që të gjithë i kishin sytë kah unë dhe prisnin për kontributin tim, por edhe ata kanë bërë një punë të madhe dhe për këtë i falënderoj. Ky sukses është i përbashkët dhe jam krenar e i lumtur që jam në mesin e atyre që kanë shkruar historinë te Llapi”.

Tani Çoriq është i fokusuar ta ndihmojë Llapin për të mbetur në Superligë edhe sezonin e ardhshëm dhe ka filluar të mendojë për paraqitjet me fanellën e ekipit në arenën ndërkombëtare. Llapi do të luajë në Ligën e Konferencës, garë që nis sezonin tjetër dhe renditet pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Në Ligën e Konferencës, Llapi do të nisë garat prej raundit të parë kualifikues që zhvillohet në korrik. Si për Çoriqin ashtu edhe për Llapin, kjo do të jetë hera e parë që do të paraqitet në garat evropiane, një arsye e fortë kjo që e ka shtyrë portierin kroat të jetë pjesë e Llapit të paktën edhe për një vit.

“Sigurisht se dua të qëndroj te Llapi edhe sezonin tjetër. Dua të debutoj në garat evropiane dhe së bashku me ekipin të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. Jam i gatshëm për këtë aventurë”, u shpreh Çoriq, që kur iu bashkua Llapit firmosi kontratë për gjashtë muaj me opsion vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Çoriq si portier është rritur te skuadra kroate Istra, kurse ka luajtur në Kroaci edhe te Kustoshija Zagreb. Ai gjithashtu karrierë ka bërë edhe te SV TEC Tiel (Holandë), Palanga (Lituani) dhe Parma e Spezia (Itali).