Portieri italian Gianluigi Buffon ka refuzuar ofertën e Barcelonës për të vazhduar karrierën pasi është i vendosur që edhe sezonin e ardhëm të mbetet në Serie A.
E përditshmja italiane “La Repubblica” ka shkruar të enjten se Buffon është mes transferimit te Atalanta dhe Roma.
Portieri 43-vjeçar ditë më parë ka njoftuar se do të largohet nga Juventusi në fund të sezonit kur edhe i skadon kontrata dhe se dëshiron ta vazhdoj karrierën të paktën edhe për një vit.
E si te Atalanta po ashtu edhe te Roma po e shohin Buffon si portier të duhur për sezonin e ardhshëm duke u bazuar në përvojën e tij të madhe.
Këtë edicion, Buffon ka pasur hapësirë të vogël te Juventusi duke regjistruar vetëm 13 paraqitje dhe për këtë arsye ka preferuar largimin duke refuzuar rinovimin e kontratës.
Të dy ekipet nga Serie A, janë të gatshme t’i ofrojnë kontratë njëvjeçare Buffonit por në garë për shërbimet e tij pritet të futet edhe Genoa, ekip të cilin Buffon haptazi gjithmonë e ka admiruar.
Krahas Juventusit, ish-portieri i Përfaqësueses së Italisë, ka bërë karrierë edhe te Parma e Paris Saint-Germaini.