Sport

Morina ka realizuar ëndrrën me Yllin

Basketbollisti Gëzim Morina nuk e përjashton mundësinë që ta vazhdojë karrierën jashtë vendit, por dëshira për të fituar trofe të tjerë me skuadrën e Golden Eagle Yllit, mund të ndikojë që ai të mbetet pjesë e Superligës së Kosovës edhe sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, derisa të marrë një vendim për edicionin tjetër, Morina do ta shijojë titullin e fituar me Yllin në sezonin e sapopërfunduar në basketbollin kosovar. Ylli të martën mbrëma u shpall kampion i Kosovës, pasi në serinë finale të plejofit e mposhti skuadrën e Pejës me rezultatin e përgjithshëm 3:0 pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Si për ekipin e Yllit ashtu edhe për Morinën, ky është titulli i parë i kampionit. Krahas titullit të kampionit, Morina këtë edicion me Yllin e ka fituar edhe trofeun e Ligës Unike. Në fakt, për Morinën ky është trofeu i tretë i fituar në Kosovë, pasi në vitin 2016 e kishte fituar edhe Kupën e Kosovës me Prishtinën. Ndërsa dy kupa i ka fituar edhe në Slloveni me Union Olimpijan e Primorskan. Mirëpo trofeu i fituar të martën mbrëma në Pejë mbetet më i veçanti për Morinën. 28-vjeçari thotë se gjithmonë ka ëndërruar të shpallet kampion me Yllin, ekip tek i cili i mori hapat e parë të basketbollit.

“Titulli i fituar na ka gëzuar të gjithëve në klub, në veçanti mua. Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam shpallur kampion me ekipin ku i kam filluar hapat e parë të basketbollit. Mbi të gjitha, është ëndërr e kthyer në realitet që këtë ndjenjë të kampionit e kam përjetuar me ekipin e qytetit ku jam lindur dhe rritur. Kjo edhe ka qenë ëndrra ime fëmijërore dhe jam shumë krenar për këtë”, është shprehur Morina të mërkurën për KOHËN. “Çka do të ndodhë sezonin e ardhshëm, ende nuk e di, sepse është herët të flitet. Do t’i analizoj ofertat që i kam marrë dhe do të marr një vendim së shpejti. Vazhdimi i karrierës jashtë vendit, por edhe fitimi i trofeve të tjerë me Yllin janë motiv dhe synimi im”.

Morina iu bashkua Yllit në fillim të këtij viti së bashku me Erjon Kastratin. Kthimi i tyre në basketbollin kosovar bëri bujë të madhe dhe Morina pranon se Yllit iu bashkua për ta fituar titullin e kampionit, i cili do të ishte i pari në histori të klubit nga Suhareka. Në fakt, Ylli këtë edicion luajti në tri finale, dy prej të cilave i fitoi. Pësoi humbje në finalen e Kupës së Kosovës nga Sigal Prishtina, por që titulli i kampionit e kompensoi atë disfatë të hidhur, sipas Morinës.

“Objektivi ynë ka qenë të luftojmë për të gjithë trofetë dhe për këtë arsye iu bashkova ekipit në fillim të këtij viti. Në finalen e Kupës së Kosovës ishim të pafat pasi patëm probleme me lëndime, por triumfi në Ligën Unike dhe Superligën e Kosovës na kanë bërë tejet të kënaqur dhe e kanë kompensuar atë humbje”, deklaroi Morina. “Ndihem shumë mirë që arritëm synimin e klubit dhe për këtë më duhet të falënderoj bashkëlojtarët, trajnerët, kryesinë, tifozët dhe të gjithë qytetin e Suharekës për përkrahjen e madhe gjatë kësaj kohe”.

Morina për një periudhë ka qenë i lënduar, por u kthye në kohën më të përshtatshme për Yllin. Në 20 ndeshje kampionale, Morina ka luajtur me një mesatare prej 9.5 pikëve e 6.7 kërcimeve për ndeshje. Ai pranoi se nuk ka qenë aspak lehtë të fitohet titulli i kampionit. Para se ta mposhtë Pejën në serinë finale të plejofit, Ylli në gjysmëfinale eliminoi Rahovecin derisa në çerekfinale ishte më i mirë se Bashkimi. Pjesën e rregullt të sezonit, Ylli e përfundoi në pozitën e tretë në tabelë me 45 pikë të mbledhura në 28 ndeshje të zhvilluara, ku regjistroi 17 fitore karshi 11 humbjeve.

“Ka qenë tejet e vështirë, pasi liga ka qenë shumë e fortë, e barabartë dhe tejet interesante. Pothuajse asnjë ndeshje nuk ka qenë e lehtë, por ne ia dolëm mbanë ta mbyllim këtë sezon fantastik në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Morina.

E përderisa Morina nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, drejtuesit e Yllit po planifikojnë që për sezonin e ardhshëm ta mbajnë pjesën më të madhe të ekipit fitues. Kështu ka insistuar drejtori i Yllit, Agron Berisha. Ylli në sezonin e sapopërfunduar ka bërë investime të mëdha, si në lojtarë ashtu edhe trajnerë. Në të vërtetë ka ndërruar tre trajnerë. Ylli gjatë këtij edicioni i ndërroi tre trajnerë. E nisi me Dragan Radoviqin, e vazhdoi me Fatih Gezerin dhe e mbylli në mënyrë triumfale me Adis Beçiragiqin.

“Synimi ynë është që ta ruajmë ekipin që e ka fituar titullin e kampionit, i cili është historik për Yllin. Pra, duam ta stabilizojmë ekipin tonë, i cili edhe sezonin tjetër do të ketë synim për të luftuar për të gjithë trofetë”, ka paralajmëruar Berisha.