Sport

Një muaj para fillimit të “Euro 2020”, pasiguri jashtë fushës dhe brenda saj

I shtyrë vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, “Euro 2020” fillon përfundimisht pas një muaji, kur Italia përballet me Turqinë në Romë. Por kriza shëndetësore vazhdon të vërë hije mbi një turne që do të mbahet për herë të parë në disa vende në të gjithë kontinentin. Fokusi i UEFA-s këtë javë është se çfarë do të bëhet me finalen e Ligës së Kampionëve mes presionit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të zhvendosur shfaqjen angleze nga Stambolli. Organi drejtues i futbollit evropian tashmë është marrë me vështirësi të ngjashme sa i përket Kampionatit Evropian, që do të vihet në skenë në 11 qytete, duke përfunduar me finalen që është paraparë të zhvillohet në Londër më 11 korrik. Qyteti i Dublinit duhej të ishte nikoqiri i 12-të i “Euro 2020”, por u largua nga lista muajin e shkuar pasi autoritetet lokale refuzuan të japin garanci për kthimin e një numri minimal të spektatorëve në stadium për të ndjekur ndeshjet.

Ndeshjet e Dublinit janë zhvendosur në St. Petersburg dhe në Londër, ndërsa Bilbao që u hoq nga lista për të njëjtën arsye si Dublini, u zëvendësua me Sevillan, qytet ku Spanja do t’i zhvillojë katër ndeshje.

Pas një viti të futbollit nëpër stadiume të zbrazëta, UEFA ishte e vendosur që tifozët të ishin në gjendje të ndiqnin nga afër ndeshjet e Kampionatin Evropian me 24 përfaqësuese.

Munichu “pa premtime”

Vendet e mbetura kanë konfirmuar se tifozët do të lejohen të mbushin midis 25 dhe 100 për qind të kapacitetit të stadiumeve, me përjashtim të Munichut. Qyteti gjerman synon të presë të paktën 14.500 tifozë në stadiumin “Allianz Arena”, por kryetari i bashkisë, Dieter Reiter, tha në muajin prill se nuk kishte “asnjë premtim, të çfarëdo lloji, për të garantuar spektatorët”.

Për dallim prej Munichut, Budapesti mund të lejojë mbushjen e plotë të stadiumit “Pushkash Arena” me një kapacitet prej 61 mijë ulësesh, megjithëse me “kërkesa të rrepta për hyrjen në stadium për spektatorët”.

“Euro 2020” nuk do të jetë festë kontinentale siç ishte parashikuar kur ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, njoftoi për formatin e ri të garës. Nuk bëhen përjashtime të udhëtimit as për tifozët që kanë blerë biletat, që do të thotë se ata që hyjnë në vende nga jashtë mund të duhet të futen në karantinë pas mbërritjes. Ata thjesht mund të mos lejohen fare të futen në stadium. Tifozëve që janë në gjendje të futen brenda në stadium, do t'u caktohet një vend me limit kohor prej 30 minutash për të arritur në stadiume, në tentim për të kufizuar tubimet jashtë stadiumit. Pas gjithë kësaj do të ketë futboll, dhe shpresa është që Kampionati i dytë Evropian me 24 skuadra do të përmbushë pritjet në fushë. Lista e favoritëve për titullin e Evropës është e gjatë dhe mbetet të shihet se cilat përfaqësuese kanë përfituar nga shtyrja njëvjeçare. Dymbëdhjetë muaj më parë Anglia po frikësohej se mund të ishte pa sulmuesit Harry Kane e Marcus Rashford, të cilët ishin lënduar përpara se turneu të shtyhej për një vit. Tani sfida është se si përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, do të akomodojë super yjet e rinj si Phil Foden dhe Mason Mount që kanë shkëlqyer këtë edicion me ekipet e tyre, Manchester Cityn dhe Chelsean. Me ndeshjet e grupeve që do të luhen në stadiumin “Wembley” në Londër, gjysmëfinalet dhe finalen, Anglia mund të konsiderohet favorite pasi e ka një rast të artë për të bërë diçka më shumë.

Franca synon suksesin e dyfishtë

Megjithatë, Anglia nuk mund t’i injorojë kërcënimet e përfaqësueseve të tjera, sidomos asaj të Francës. Franca është kampione në fuqi e botës dhe synon të përsërisë paraqitjen e saj në vitin 2000, kur triumfoi në Kampionatin Evropian si fituese në fuqi e Kupës së Botës.

“Titujt nuk fitohen vetëm duke kërcitur gishtërinjtë, kështu që as në Evropian nuk do të jetë lehtë.

Kombet e tjera po përparojnë. Kur të fillojë Evropiani do të synojmë të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur”, ka thënë përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps.

Portugalia, e cila mundi Francën në finalen e “Euro 2016”, nuk do të heqë dorë lehtë nga titulli, madje edhe me kapitenin Cristiano Ronaldo tani 36 vjeç. Portugalia është në të njëjtin grup me Francën dhe Gjermaninë. Ka dyshime të mëdha për gjermanët, në turneun e tyre të fundit të madh me përzgjedhësin Joachim Loew. Ky i fundit do të largohet nga Gjermania pas këtij turneu. Pas dështimit në Botërorin e vitit 2018, Gjermania vazhdimisht është përballur me humbje. Ndërkohë, Spanja po duket në formë të mirë pas debaklit në Botërorin e vitit 2018. Nën drejtimin e Luis Enriques, Spanja do të jetë më e qetë në shtëpi pasi fazën e grupeve do ta luajë në Sevilla. Holanda dhe Italia janë dy përfaqësuese të tjera të rinovuara që luajnë ndeshjet e grupeve në shtëpi, ndërsa edhe Belgjika duhet të merret me seriozitetin më të madh.

“Në Botërorin e fundit përfunduam të tretët, kurse këtë herë kërkojmë diçka më shumë”, pranoi përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez.