Sport

Reali barazon falë golit në minutën e 94-t

Real Madridi ka arritur barazim dramatik me Sevillan për të vazhduar garën për titull në La Liga të Spanjës. Të dielën mbrëma në “Alfredo Di Stefano”, në kuadër të xhiros së 35-të, Reali luajti 2:2 me Sevillan, skuadrën tjetër pretendente. Diego Carlos i Sevillas shënoi autogol në minutën e 94-t.

Fernando kishte shënuar për epërsinë e Sevillas në minutën e 22-të. Ai realizoi pas asistimit të Ivan Rakitiqit.

Shifrat në 1:1 u barazuan në minutën e 67-të nga Marco Asension. Për të asistoi Toni Kroosi. Ndërkohë Ivan Rakitiq kaloi në epërsi Sevillan në minutën e 78-të me gol nga pika e bardhë.

Por në fund Kroos goditi nga distanca kurse topi u devijua nga Carlos.

Reali ka dalë në vend të dytë me 75 pikë, sa i ka edhe Barcelona në vend të tretë. Udhëheq Atletico Madridi me 77 pikë. Sevilla është e katërta me 71 pikë.

Deri në fund kanë mbetur edhe tri xhiro.