Sport

Deçiqi shkruan kapitull të ri, për herë të parë në finale të Kupës së Malit të Zi

Pasi kishte barazuar pa gola në ndeshjen e parë ndaj Iskrës, të luajtur në Danillovgrad, të mërkurën mbrëma skuadra shqiptare Deçiqi arriti fitore për histori. Deçiqi e mposhti Istrën me rezultatin 1:0 dhe për herë të parë në histori të klubit u kualifikua në finale të Kupës së Malit të Zi në futboll.

Në finale, skuadra nga Tuzi do të përballet me Buduqnostin, që tashmë ka siguruar titullin e kampionit. Buduqnosti i Podgoricës synon që për herë të parë t’i fitojë dy trofetë në një edicion. Ndërkohë Deçiqi kërkon triumfin e parë në Kupë. Ndeshja finale luhet më 1 qershor në Podgoricë.

“Fitore e madhe në gjysmëfinalen e Kupës së Malit të Zi ndaj një kundërshtari të fortë, Iskrës së Danillovgradit. Për herë të parë në historinë 95-vjeçare skuadra jonë kualifikohet në finalen e Kupës së Malit të Zi dhe është shumë afër kualifikimit në kupat evropiane”, ka njoftuar Deçiqi të enjten në faqen zyrtare.

Deçiqi njoftimet në “Facebook” i shkruan në gjuhën shqipe dhe atë malazeze. Është klubi më i suksesshëm shqiptar në Mal të Zi.

Në elitë është kthyer këtë edicion dhe aktualisht mban vendin e tretë, që në fund siguron kualifikimin në Ligën e Konferencës. Për kohë të gjatë ishte në vend të dytë, ndërsa në garë për vend të dytë është me Sutjeskën.

Sutjeska i ka 51 pikë, Deçiqi 50, kurse Podgorica është e treta me 46 pikë. Deri në fund kanë mbetur edhe katër xhiro. Deçiqi mund të kualifikohet në Evropë edhe përmes triumfit në garën për Kupë.

“Kalimi në finale të Kupës patjetër është arritje historike. Sa i takon ndeshjes së mbrëmshme, gjatë tërë kohës ishim dominues dhe madje mund të shënonim edhe një apo dy gola të tjerë së paku. Tani vazhdojmë përpara dhe mendojmë për ndeshjen e së dielës në ligë. Do të doja t’i falënderoja tifozët, që ishin lojtari i 12-të i yni”, ka thënë Kristijan Vulaj, një prej lojtarëve kryesorë të Deçiqit. Ai kohë më parë është ftuar dhe ka debutuar te Mali i Zi.

“Gjasat i kemi të mëdha për të dalë në Evropë. Por, nuk duam të mendojmë derisa të jemi matematikisht pjesë e garave evropiane. Vetëm atëherë mund të festojmë”, ka shtuar Vulaj.

Tifozët shqiptarë të Deçiqit kanë festuar gjatë kualifikimin në finale të Kupës. Ka pasur edhe fishekzjarrë. Për një festë tjetër shpresohet më 1 qershor, e po ashtu në fund të kampionatit.