5 perditesime
20:16

Kryetari i Pontes akuzon Berishën se nxiti përleshjen, u kërkon falje të gjithëve për pamjet e shëmtuara

Kryetari i Ponte Prizrenit, Zgjim Kryeziu, ka akuzuar basketbollistin pejan Dardan Berisha se nxiti përleshjen që ndodhi në ndeshjen mes Pontes dhe Pejës, e që rezultoi me ndërprerjen e ndeshjes së pestë të serisë gjysmëfinale të plejofit.

Kryeziu ka thënë se shpreson në një vendim meritor të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndërsa i ka kërkuar falje teleshikuesve dhe gjithë dashamirëve për pamjet e shëmtuara.

“Në fund të çerekut të dytë basketbollisti i KB Pejës, Dardan Berisha, i cili ka përvojë të gjatë në lojën e basketbollit dhe i cili duhet të jetë shembull në fushë, ka bërë provokime dhe e ka fyer mbi baza personale trajnerin dhe po ashtu ka fyer bankën e ekipit tonë, e ka fyer edhe gjyqtarin e ndeshjes Xhelal Mumini. Më pas lojtarët e KB Pejës kanë filluar sulmet fizike ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të klubit tonë. Të gjitha këto mund të shihen në videoxhirimet e kamerave prezentë në sallë. Unë si kryetar i klubit KB Ponte Prizreni, për të gjitha ngjarjet që ndodhën në lojën mes KB Ponte Prizrenit dhe KB Pejës shprehi keqardhje maksimale dhe uroj që skena të tilla të mos përsëriten më. Ne si klub presim vendim meritor dhe të paanshëm nga Federata e Basketbollit të Kosovës për të gjitha ndodhitë e ndeshjes së sotme në mes të KB Ponte Prizreni dhe KB Peja. Gjithashtu, e ndjej obligim moral që të kërkoj falje ndaj të gjithë teleshikuesve dhe dashamirësve të basketbollit në Kosovë që u detyruan të shihnin ngjarje dhe skena të tilla të papranueshme për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e Kryeziut.

19:25

Policia e Prizrenit po merret me rastin e përleshjes në ndeshjen Ponte - Peja

Policia e Prizrenit ka thënë se po merret me rastin e përleshjes në ndeshjen e pestë të serisë gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës. Në raportin policor thuhet se ndeshja është ndërprerë me vendimin e delegatit të ndeshjes pas përleshjes së lojtarëve të dy ekipeve dhe disa zyrtarëve tjerë.

Zëdhënësi i policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj ka thënë se rasti tashmë janë iniciuar, të gjithë të përfshirët në përleshje janë intervistuar dhe po pritet vetëm raporti i mjekut për të parë nëse bëhet fjalë për lëndime trupore të lehta apo të rënda.

“Gjatë kohës së pushimit, lojtarët fillimisht u fjalosën dhe pastaj u përleshën në ndeshjen e basketbollit të luajtur në Prizren, e cila u ndërpre me vendimin e delegatit të takimit. Rasti tashmë është iniciuar dhe në po presim edhe raportet e mjekut për të shikuar nëse bëhet fjalë për lëndime të lehta apo të rënda trupore. Policia ka intervistuar të gjithë pjesëmarrësit tashmë dhe po mbledh të gjitha raportet për të vlerësuar se për çfarë lëndimesh bëhet fjalë për të proceduar tutje”, është shprehur Osmanollaj.

19:01

Ponte akuzon Berishën dhe zyrtarët e ndeshjes për ndërprerje

Ponte Prizreni ka dalë me komunikatë pas ndërprerjes së ndeshjes ndaj Pejës, që ishte e fundit e gjysmëfinales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Ponte ka akuzuar Dardan Berishën për provokim të situatës.

Pas përfundimit të pjesës së parë erdhi te një rrahje masive mes lojtarëve, ndërsa dyshohet për përfshirje edhe të personave tjera. Klubi prizrenas i është drejtuar Berishës me “ish-reprezentuesi polak”.

Berisha është kapiten i Kosovës.

“Në fund të çerekut të dytë ish-reprezentuesi polak, gjatë gjithë kohës duke provokuar dhe ofenduar në mënyrën më të rëndë jo vetëm bankën por edhe gjyqtarin Mumini, i cili nuk pat autoritet që ta jep edhe teknikën e dytë. Si pasojë e kësaj lojtarët pejanë, konkretisht Brandon Walters, sulmoi lojtarin Leurit Morina, 17-vjeç. Kjo erdhi në saje të neglizhencës së Komesarit të garave, Faton Kurshumliu, i cili me delegim katastrofik të gjyqtarëve e solli fatin deri te përleshja. Të lënduarit kanë hapur rast dhe kanë marrë trajtim nga emergjenca dhe është hapur rasti në polici. Kryesia e klubit tani do të merr vendim për hapat e mëtejmë”, thuhet në komunikatën e Ponte Prizrenit. Në çerekun e dytë, Dardan Berisha ka pasur një fjalosje me lojtarët apo trajnerët e ulur në bankën e Pontes.

18:55

FBK-ja nesër vendos për ndeshjen e ndërprerë në Prizren

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), nesër do të marrë vendim për ndeshjen e ndërprerë ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës.

Ndeshja e pestë e serisë gjysmëfinale u ndërpre në Prizren pas përfundimit të pjesës së parë ku ndodhi një përleshje, derisa ekipet po shkonin në zhveshtore.

Në këtë përleshje janë përfshirë lojtarët e të dy ekipeve, janë shkëmbyer grushte dhe janë përfshirë persona të tjerë.

Në FBK kanë thënë se do ta analizojnë gjithë incidentin përpara se të marrim vendimin.

E ky vendim, pritet të merret gjatë ditës së nesërme, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku për KOHËN.

“Sot nuk do të ketë një vendim, pasi jemi duke e analizuar gjithë situatën. Vendimi pritet të merret gjatë ditës së nesërme”, ka thënë Dushku.

18:20

Ndërpritet ndeshja Ponte Prizreni – Peja

Ndeshja vendimtare e gjysmëfinales së plejofit të Superligës në basketboll mes Ponte Prizrenit dhe Pejës është ndërprerë.

Pas përfundimit të pjesës së parë ka ndodhur një përleshje e madhe, derisa lojtarët ishin duke u larguar nga parketi për të shkuar në zhveshtore. Janë përfshirë lojtarët e të dy skuadrave, janë shkëmbyer goditje, ndërsa është dukur të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.

FBK-ja nuk ka dhënë ndonjë njoftim për këtë takim të ndërprerë. Rezultati pas 20 minutave lojë ishte 49:48 në të mirë të Pejës. Ka pasur tension në çerekun e dytë, ndërsa Dardan Berisha ka shkëmbyer fjalë me lojtarët apo trajnerët në bankën e Ponte Prizrenit.

18:08

Peja ankohet se basketbollistët dhe stafi i saj janë sulmuar pas fundit të pjesës së parë ndaj Pontes

Klubi i basketbollit Peja është ankuar se basketbollistët dhe stafi i saj janë sulmuar nga tifozët dhe një pjesë e stafit të ekipit kundërshtar Ponte Prizreni pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes së pestë të serisë finale të plejofit që po luhet në Prizren.

“Ngjarje të tmerrshme në përfundim të pjesës së parë! Derisa ekipi ishte duke u larguar drejt zhveshtoreve për pushimin e pjesës së parë, shikuesit dhe një pjesë e stafit dhe lojtarëve të ekipës vendase na janë vërsulur si më keq ndaj ekipës sonë. Ka edhe të lënduar nga kjo përleshje!” – thuhet në reagimin e KB Pejës në Facebook.

Pas pjesës së parë rezultati është 49:48 në favor të Pejës. Rezultati në seri është 2:2. Fituesi i ndeshjes shkon në finale.