Sport

Kampionia sfidohet nga Feronikeli i zhytur në probleme

Si Drita ashtu edhe Feronikeli do të kërkojnë fitoren në përballjen e së shtunës prej orës 15:00, në stadiumin e qytetit në Gjilan.

Kampionia në fuqi, Drita, ka rënë në pozitën e tretë në tabelë pas humbjes nga Prishtina dhe barazimit me Besën, në dy xhirot e fundit. Ka 65 pikë, një më pak se Prishtina që është e dyta në tabelë dhe dy më pak se Ballkani që mbetet lider.

Ndërkohë, Feronikeli që nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit, është në pozitë të vështirë pasi ende nuk e ka të garantuar mbetjen në elitën e futbollit kosovar. Tri humbje dhe një barazim kanë bërë që Nikli të zë vendin e gjashtë në tabelë me 35 pikë, sa i kanë edhe Drenica e Trepça ’89.

Te skuadra nga Drenasi nuk kanë qenë të gatshëm të flasin para duelit me Dritën për shkak të situatës së vështirë të krijuar në klub. Ndërsa edhe te Drita kanë zgjedhur heshtjen, si zakonisht.

Feronikeli ndeshjen e fundit e humbi nga Arbëria në Drenas. Pas ndeshjes, prononcimin e trajnerit Klodian Duro e ndërpreu një zyrtar i klubit, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në futbollin e Kosovës dhe shihet si dëshmi për gjendjen e acaruar dhe problematike në klub.

KOHA ka kontaktuar të premten pesë lojtarë të Feronikelit, që nuk pranuan të prononcohen për ndeshjen “për shkak të gjendjes në klub”.

Te Drita ka kohë që nuk prononcohen para ndeshjeve, një praktikë kjo që fare rrallë shihet në vendet me futboll të zhvilluar.

“Duke parë edhe sa ndeshje kanë mbetur ne nuk do të dorëzohemi deri në fund, do të mundohemi të rikthehemi sa më shpejt në ndeshjet e mbetura, tashmë fati ynë nuk është në duart tona”, ishin fjalët e trajnerit të Dritës, Ardian Nuhiu pas barazimit me Besën në udhëtim.

Ndeshja në Gjilan i takon xhiros së 32-të të Superligë së Kosovës në futboll. Deri në fund janë edhe pesë xhiro.

Po të shtunën, Arbëria e pret në Podujevë skuadrën e Gjilanit që tashmë nuk ka kurrfarë ambiciesh pasi është e sigurt në pozitën e katërt më 44 pikë. Arbëria është e parafundit me 33 pikë të mbledhura dhe është maksimalisht e motivuar pas fitores së fundit ndaj Feronikelit në Drenas.

Në të njëjtën ditë prej orës 15:00, Trepça ’89 shihet favorite përballë Besës së Pejës në duelin që do të luhet në Mitrovicë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Arbëria po lufton për mbijetesë por Gjilani edhe në këtë duel do të futet për ta dhënë më të mirën dhe për t’i marrë të gjitha pikët”, ka insistuar mesfushori i Gjilanit, Muhamed Useini.

Dy skuadrat tjera pretendente për titull luajnë të dielën. Llapi e pret Prishtinën në Podujevë, kurse Drenica është nikoqire e Ballkanit. Ka dyshime se Prishtina e ka të “sigurt” fitoren në Podujevë, kurse Ballkanin e pret punë e vështirë në Skenderaj.

Te skuadra e Llapit insistojnë se nuk do të dorëzohen për asnjë moment përballë Prishtinës dhe se do të kërkojnë rezultat pozitiv në këtë takim. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka insistuar se ekipit të tij i duhen patjetër pikët, duke pasur parasysh se ende nuk e ka siguruar mbetjen në Superligë.

Llapi në këtë ndeshje futet pas një serie prej tri humbjeve dhe dy fitoreve në pesë ndeshjet e fundit. Ekipi nga Podujeva e eliminoi javën e shkuar skuadrën e Prishtinës në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Te Ballkani kanë shprehur dyshime se ai eliminim është pjesë e një “matematike”.

Trajneri Batatina thotë se ekipi i tij do të luajë futboll dhe se këtë e dëshmoi edhe në ndeshjen e fundit ndaj Ballkanit. Ai ka pranuar se Llapi ka disa mungesa, por do të jetë i gatshëm për ta befasuar Prishtinën, së cilës synon t’ia ndalë hovin.

“Kemi disa mungesa për shkak se në ndeshjen e fundit kemi marrë më shumë kartonë sesa në të gjitha kampionatin, por jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Do të japim maksimumin, për shkak se nuk jemi stabilë me pikë në kampionat dhe na duhet të bëjmë më të mirën për një rezultat pozitiv. Nuk do të jetë lehtë, sepse Prishtina po kalon nëpër një formë më të mirë, por ne duhet të bëjmë të pamundurën që mos pësojmë humbje”, është shprehur Batatina. “Ne luajmë futboll dhe kjo u dëshmua edhe në ndeshjen e fundit, kështu që edhe këtë herë do të japim më të mirën nga vetja. Mundemi edhe të pësojmë, por edhe të fitojmë, megjithatë angazhimi nuk do të mungojë jo vetëm ndaj Prishtinës, por në të gjitha ndeshjet e tjera deri në fund të këtij sezoni”.

Ndërkohë, Prishtina vjen pas një serie fantastike, ka pesë fitore në po aq ndeshje, kurse nuk di për humbje në gjashtë duelet e fundit. Prishtina në këtë ndeshje do të jetë pa Besnik Krasniqin e suspenduar.

Drenica ende nuk e ka siguruar mbijetesën, pasi është e shtata në tabelë me 35 pikë, dy më shumë se pozita e parafundit që dërgon në Ligën e Parë sezonin tjetër. Trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi ditë më parë për KOHËN ka thënë se ekipi i tij do të kërkojë fitore në secilën ndeshje dhe po shpreson që skuadrat e tjera të luajnë futboll dhe të mos bëjnë kalkulime.

“Më vjen mirë që Llapi luftoi me ne, por është kuriozitet ta shohim se si do të luajë ndaj ekipeve të tjera. Nuk dua të zë emra, por të gjithë e dimë dhe gjithçka duket dhe shikohet. Nuk dua ta shpërqendroj veten dhe ekipin. Objektivi ynë është që të fitojmë ndeshje pas ndeshje. Për mua më e rëndësishmja për momentin është përballja e radhës me Drenicën. Do të ishte mirë që në ndeshjen e fundit të vendoset titulli, do të ishte si një lloj finale në një stadium shumë të mirë”, është shprehur Shkëmbi. “Mund të them që po, fatin e kemi në dorën tonë. Nëse arrijmë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet do të përfundojmë në vendin e parë. Nëse do të varemi nga të tjerët, do të jemi të humbur. Ballkani ka forcë që ta mbajë pozitën e parë deri në fund të kampionatit”.

Superliga – 32

E shtunë (15:00)

Drita – Feronikeli

(Arbitra: A. Shala, G. Hyseni, M. Berisha, I. Mehmeti)

Trepça ’89 – Besa

(Arbitra: G. Nuza, D. Rexhepi, A. Zhegrova, Sh. Murtezi)

Arbëria – Gjilani

(Arbitra: T. Maloku, L. Muhadri, I. Kabashi, B. Ajeti)

E diel (15:00)
 

Llapi – Prishtina

(Arbitra: M. Bejtullahu, V. Kelmendi, A. Bacaj, D. Çaka)

Drenica – Ballkani

(Arbitra: S. Isufi, G. Mehmeti, A. Ejupi, G. Shala)

1. Ballkani 31                            67

2. Prishtina 31                          66

3. Drita 31                                65

4. Gjilani 31                              44

5. Llapi 31                                39

6. Feronikeli 31                        35

7. Drenica 31                           35

8. Trepça ’89 31                       35

9. Arbëria 31                            33

10. Besa 31                             11