Sport

City po i afrohet lavdisë së shumëpritur

FOTO: AP
 

Pas dhjetë vjet përpjekjesh dhe miliarda shpenzimesh për ta bërë të mundur, Manchester City është më afër se kurrë triumfit në Ligën e Kampionëve. Një fitore e ardhur me përmbysje ndaj Paris Saint-Germainit (2:1) të mërkurën, në gjysmëfinalen e parë, ka bërë që skuadra e Pep Guardiolas të shihet favorite jo vetëm për kualifikim në finale, por edhe triumf në Champions. Megjithatë, City duhet të konfirmohet si finalist edhe pas ndeshjes së kthimit që do të zhvillohet të martën e ardhshme në “Etihad Stadium”.

Një përplasje midis kampionit në fuqi të Ligue 1 dhe fituesve të Premier Leagues shihet gjithashtu si betejë ndërmjet përfaqësuesve të Katarit që përkrahin PSG-në dhe atyre të Abu Dhabit që kanë në pronësi skuadrën e Cityt. Me gjithë ndryshimet e fytyrës së futbollit evropian, me investimet e tyre në tregun e transferimeve gjatë dekadës së kaluar, të dy klubet janë ende duke pritur për lavdinë e fundit të fitimit të Ligës së Kampionëve. PSG-ja ishte afër këtij suksesi edicionin e shkuar, por u mposht në finale nga Bayern Munichu 1:0. Ndërsa këtë edicion PSG-ja arriti në gjysmëfinale pasi eliminoi Barcelonën e Bayernin. Në fakt francezët e nisën mirë duelin edhe ndaj Cityt pasi në fillim të pjesëlojës së parë kaluan në epërsi nëpërmjet Marquinhosit. Mirëpo, me golat e Kevin de Bryune e Riyad Mahrez skuadra e Cityt e fitoi ndeshjen.