Sport

Vendosjen në sallë hendbollistet e Istogut e shoqërojnë me dominim të plotë

Hendbollistet e Istogut për pak nuk ia dolën të bënin hapin e madh para në skenën evropiane. Për një gol i humbën ndeshjet me skuadrën bjelloruse Victoria Berestie, në kuadër të raundit të tretë të Kupës Evropiane.

Por në nivel vendi ato ishin pa konkurrencë. Edicioni i rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll përfundoi të dielën. Në krye të tabelës është Istogu që i ka fituar të gjitha 22 ndeshjet e pjesës së rregullt të kampionatit. Istogu, që drejtohet nga Faruk Shala, në plejof starton nga pozita e parë dhe është favorit i madh në garën për titull të kampionit. Plejofi nis menjëherë në mesjavë, ndërsa Istogu takohet me kampionin aktual, Ferizajn. Istogu po ashtu është në gjysmëfinale të Kupës dhe e synon edhe atë trofe.

Gjatë tërë edicionit Istogu nuk ka pasur konkurrencë. Ka fituar bindshëm të gjitha ndeshjet. Këtë edicion ka pasur paraqitje ndryshe në krahasim me edicionin e kaluar, kur mbeti pa titull të kampionit dhe pa Kupë.

Në të vërtetë Istogu ka disa vjet që është prej skuadrave më të mira në vend. Vendosja në palestrën në Istog i ka dhënë shtytje skuadrës. Pas pritjes shumë të gjatë, palestra në Istog është hapur vjeshtën e kaluar, ndonëse me shumë defekte.

Trajneri Shala mbetjen pa trofe në edicionin e kaluar e arsyeton me vështirësitë e krijuara nga pandemia.

“Por arritëm të organizohemi dhe këtë vit të jemi dominues në hendbollin e femrave në vend. Mendoj që janë dy faktorë kryesorë që kanë ndikuar që Istogu të rritet në këtë nivel. Më së shumti ka ndikuar fakti që për herë të parë pas 17 vjetëve të ekzistencës si klub kemi pasur mundësi të stërvitemi në hapësirën e duhur për lojën e hendbollit. Këtë na e ka mundësuar palestra që e shfrytëzojmë për herë të parë këtë vit në Istog. Hapja e saj ka ndihmuar që të kemi punë profesionale dhe ta përgatisim ekipin si duhet. Faktori tjetër është se vajzat ka një kohë që luajnë së bashku, duke arritur të komponohen si duhet. Është krijuar një fizionomi e lojës së Istogut. Është dashur një kohë që të arrihet kjo, me stërvitje e lojëra të përbashkëta. Pas shkuarjes nga klubi të disa prej lojtareve kryesore dhe prurjeve të reja, tanimë skuadra ka arritur pjekurinë e lojës dhe funksionon ashtu si ne dëshirojmë”, ka theksuar Faruk Shala për KOHËN. Ai vlerësohet më meritori që Istogu është bërë qendër e rëndësishme e hendbollit.

Istogu ka edhe dy fitore në garën për Kupë. Shala thotë se bilanci 24:0 është i jashtëzakonshëm për secilën skuadër sportive. Istogu për herë të parë mbyll një edicion të rregullt pa disfatë e pa barazim.

Por synimet janë për më shumë.

“Istogu synon që ta mbyllë edicionin duke fituar të gjitha ndeshjet, pra edhe ato të plejofit dhe ato për Kupë. Kam shumë besim se hendbollistet do ta arrijnë këtë. Jam i bindur duke parë përkushtimin, motivimin dhe angazhimin e tyre”, ka theksuar trajneri istogas.

Ai është në krye të një projekti tjetër ambicioz të Istogut, Akademisë së hendbollit. Tashmë dhjetëra fëmijë kanë nisur të mësojnë hendbollin në kuadër të Akademisë istogase.

“Organizimi profesional i klubit e bën Istogun të dallojë nga klubet e tjera, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në disa vende të regjionit. Hendbollistet kanë kushte solide dhe u ofrohet punë profesionale. Për fat jemi shembull edhe për punë me gjenerata të reja. Kemi filluar me Akademi që i ka tashmë 50 hendbolliste të reja. Kadetet tashmë janë kampione të Kosovës. Istogu po ecën shtigjeve të një klubi profesional me plan afatgjatë. Aktualisht i kemi mbi 100 hendbolliste aktive, duke përfshirë të gjitha gjeneratat dhe Akademinë. Për një qytezë kjo është e arritur shumë e madhe dhe na bën të veçantë si klub”, ka theksuar Faruk Shala.