Sport

Dortmundi mban shpresat gjallë për Champions, triumfon ndaj Wolfsburgut

Dortmundi e ka fituar kryendeshjen e xhiros së 31-të në Bundesligë në udhëtim te Wolfsburgu, duke triumfuar me rezultat 2:0.

Verdhezinjtë shënuan në minutën e 12-të përmes Erling Haaland, i cili shfrytëzoi gabimin e mbrojtësit vendas.

Ndërkohë, me të filluar pjesa e dytë skuadra e Terzic mbeti me një futbollist më pak kur Bellingham u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Por kjo nuk e pengoi Dortmundin të realizoi edhe një gol, përmes të zakonshmit Haaland në minutën e 68-të, për të vulosur fitoren e skuadrës së tij.

Kjo fitore e mban në garë Dortmundin për një pozitë që të dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi ka 55 pikë në vendin e pestë, ku kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund. Wolfsburgu me 57 pikë dhe Frankfurti me 56 sosh mbajnë pozitën e tretë përkatësisht të katërt.