Sport

Peja eliminon Prishtinën në çerekfinale

Descriptive Text

Sigal Prishtina e ka mbyllur sezonin në Superligën e Kosovës në basketboll pas humbjes nga skuadra e Pejës në ndeshjen e tretë të serisë çerekfinale të plejofit.

Dueli i luajtur në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ka përfunduar me shifrat 100:83 në të mirë të ekipit vendas.

Me këtë fitore, Peja është kualifikuar në gjysmëfinale pasi e ka mposhtur Prishtinën me rezultatin e përgjithshëm 2:1.

Në gjysmëfinale, Peja do të përballet me kampionin e pjesës së rregullt, Ponte Prizrenin.

Qendra Brandon Walters me “double-double” e ka udhëhequr Pejën drejt këtij triumfi pasi ndeshjen e mbylli me 33 pikë të shënuara e 16 kërcime. Me lojë efikase te Peja u dalluan edhe AJ Walton (19 pikë) e Lis Shoshi (18 pikë, 10 kërcime).

Te Prishtina, vetëm dy basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore. Nigel Johnson ishte më efikasi me 26 pikë, i përcjellë nga Tevin Mack me 25 sosh.