Sport

Dublini mund të tërhiqet nga organizimi i ndeshjeve të “Euro 2020”

Ndeshjet e kampionatit evropian “Euro 2020” në Dublin nuk ka gjasa të zhvillohen nëse UEFA këmbëngul në nivelet minimale të shikuesve në stadium, ka pranuar të mërkurën zëvendëskryeministri irlandez Leo Varadkar. Varadkar insistoi se është pesimist që ndeshjet e Evropianit që nis në muajin qershor nuk ka gjasa të zhvillohen në Dublin pasi nuk mund të përmbushet kërkesa e UEFA-s. Kjo e fundit po insiston që qytetet organizatore të angazhohen për të lejuar të paktën 25 për qind të stadiumit me tifozë.

UEFA u ka dhënë afat të gjitha qyteteve, por Dublini duket se do të heqë dorë nga organizimi i ndeshjeve të Evropianit, të planifikuara këtë verë. Varadkar ka thënë se Dublini pritet së shpejti të zyrtarizojë tërheqjen për shkak se nuk është në gjendje të garantojë kthimin e një pjese të tifozëve në stadiume.

“Mendoj se qershori është shumë herët për të lejuar kthimin e tifozëve në stadium ashtu siç po kërkon UEFA. Nëse UEFA insiston që të lejojmë 25 për qind të stadiumit me tifozë, atëherë ne do të tërhiqemi nga organizimi i ndeshjeve të Evropianit”, është shprehur Varadkar. “Është shumë vështirë të garantojmë një gjë të tillë. Për fat të keq, situata me pandeminë nuk lejon një gjë të tillë sidomos në Irlandë”.

Stadiumi “Aviva Stadium” i Dublinit është planifikuar t’i presë tri ndeshje të fazës së grupeve dhe një ndeshje të 1/8 së finales të turneut të vonuar, i cili do të zhvillohet nga 11 qershor deri më 11 korrik. Mirëpo këto ndeshje janë në dyshim pasi Irlanda është ende nën kufizimet e rrepta për përhapjen e koronavirusit, si dhe gjithashtu vendi ka qenë shumë i ngadaltë sa i përket vaksinimit të popullatës. 4847 persona kanë vdekur nga COVID-19 në Republikën e Irlandës, bazuar në shifrat e fundit zyrtare. Restorantet, baret dhe dyqanet e shitjes me pakicë të gjërave jothelbësore janë mbyllur që nga viti i shkuar dhe gjithashtu ka ende kufizime në udhëtimet e brendshme dhe ndërkombëtare. Në fillim të këtij muaji, Federata e Futbollit e Irlandës (FAI) i tha UEFA-s se “për shkak të pandemisë Covid-19 nuk është në një pozicion në këtë pikë për të garantuar siguri në nivelet minimale të tifozëve”. Në anën tjetër, UEFA po insiston që të lejohet një pjesë e tifozëve për ndeshjet e Kampionatit Evropian, i cili është shtyrë për këtë vit si pasojë e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. Nëntë nga 12 qytetet e propozuara pritëse për “Euro 2020” janë zotuar të lejojnë turma të tifozëve deri në 25 për qind të kapacitetit të stadiumit. Krahas Dublinit, dy qytetet e tjera që rrezikojnë tërheqjen nga organizimi janë edhe Bilbao e Munichu. Sikurse Dublini, as Bilbao e Munichu ende nuk kanë miratuar kërkesën e UEFA-s për lejimin e tifozëve si pasojë e rrezikut nga koronavirusi.

“Jemi në pritje të përgjigjes nga tri qytetet për organizimin e ndeshjeve të Kampionatit Evropian. Brenda kësaj jave, besoj se përfundimisht do të dihen qytetet në të cilat do të zhvillohen ndeshjet e këtij turneu”, ka thënë një zyrtar i UEFA-s, në kushte anonimiteti.

Organi drejtues i futbollit evropian pritet të marrë një vendim përfundimtar të premten mbi vendet ku do të mbahen të gjitha ndeshjet e “Euro 2020”. Tani për tani, UEFA ka konfirmuar qytetet që kanë garantuar kthimin e një pjese të tifozëve në tribuna – Londrën (Angli), Romën (Itali), Bakun (Azerbajxhan), St. Petersburgun (Rusi), Bukureshtin (Rumani), Budapestin (Hungari), Amsterdamin (Holandë), Kopenhagën (Danimarkë) e Glasgowin (Skoci).