Sport

Superliga Evropiane ndan botën e futbollit

Superliga e Evropës (ESL) është një plan “i turpshëm, vetëshërbyes” dhe një “pështymë në fytyrën e dashamirëve të futbollit”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.

Ai gjithashtu tha që lojtarët që luajnë për skuadrat e përfshira në ligën e mbyllur do të “ndalohen nga Kupa e Botës dhe Evropiani”.

Arsenali, Chelsea, Liverpooli, Manchester City, Manchester Unitedi dhe Tottenhami janë mes 12 klubeve që kanë rënë dakord t’i bashkohen Superligës së propozuar. Të përfshira në projekt janë Juventusi, Interi, Milani nga Italia dhe Real Madridi, Barcelona e Atletico Madridi nga Spanja.

“Ne të gjithë jemi të bashkuar kundër kësaj marrëzie të një projekti. Nuk mund të theksoj më fort se si të gjithë janë të bashkuar kundër këtyre propozimeve të turpshme, që u shërbejnë një grupi, të nxitura nga lakmia mbi të gjitha”, tha Çeferin, pasi për planet për një Ligë të Kampionëve me 36 skuadra ishin dakorduar të gjithë.

Reformat e Championsit do të nisin prej sezonit 2024/25 kur të gjitha skuadrave që kualifikohen do t’u garantohen nga dhjetë ndeshje.

“Është një plan cinik, plotësisht kundër asaj që duhet të jetë futbolli. Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që ai të ndryshojë. Lojtarët që do të luajnë në ekipe që mund të luajnë në ligë të mbyllur do të ndalohen nga Kupa e Botës dhe Evropiani. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të qëndrojnë gjatë me ne pasi bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të siguruar që kjo të mos përfundojë kurrë në realizim. Kjo ide është një pështymë në fytyrën e të gjithë dashamirëve të futbollit. Ne nuk do t'i lejojmë ata ta heqin futbollin nga ne”, u shpreh Çeferin.

ESL-ja do të jetë një “garë e re në mesjavë” me ekipet që vazhdojnë të “garojnë në ligat e tyre përkatëse kombëtare”, thonë iniciatorët. Pasi u njoftua të dielën për formimin e saj, FIFA shprehu “mosmiratimin” e saj për garën e propozuar dhe u bëri thirrje “të gjitha palëve të përfshira në diskutime të nxehta të angazhohen në një dialog të qetë, konstruktiv dhe të ekuilibruar për të mirën e lojës”.

Organi drejtues i futbollit botëror më parë tha se nuk do ta njihte një garë të tillë dhe çdo lojtari të përfshirë mund të mohohet mundësia për të luajtur në një Kupë Botërore.

14 klubet e Premier Leagues që nuk janë regjistruar në ESL, do të takohen të martën për të vlerësuar propozimet dhe për të shqyrtuar një përgjigje përfundimtare rreth kësaj çështjeje që tashmë ka ndarë botën e futbollit. Madje, Çeferin përsëriti se klubet dhe lojtarët e përfshirë në ESL mund të ndalohen “sa më shpejt që të jetë e mundur” nga të gjitha garat e UEFA-s.

“Ne jemi ende duke vlerësuar me ekipin tonë ligjor, por ne do të marrim të gjitha sanksionet që mundemi dhe do t'ju informojmë sa më shpejt që të mundemi. Mendimi im është që sa më shpejt të jetë e mundur ato duhet të ndalohen nga të gjitha garat tona dhe lojtarët nga të gjitha garat tona”, paralajmëroi Çeferin.

Çeferin ishte veçanërisht kritik ndaj nënkryetarit ekzekutiv të Manchester Unitedit, Ed Woodward dhe kryetarit të Juventusit, Andrea Agnelli, të cilët tashmë janë larguar nga rolet që kishin në UEFA. Agnelli ishte gjithashtu president për një kohë të gjatë i Shoqatës së Klubeve Evropiane (ECA), nga e cila të 12 klubet e përfshira në ESL kanë dhënë dorëheqjen.

“Ai është ndoshta një nga zhgënjimet më të mëdha, ose zhgënjimi më i madh nga të gjithë”, tha Çeferin për Agnellin. “Unë nuk dua të jem shumë personal. Por fakti është që unë kurrë nuk kam parë një person që do të gënjejë kaq shumë herë. Unë fola me të edhe të shtunën pasdite dhe më tha se të gjitha këto janë vetëm thashetheme. Mos u shqetëso, asgjë nuk po ndodh. Pastaj, ai më tha se do të më telefonojë brenda një ore por e mbylli telefonin”.

Për Woodwardin, Çeferin shtoi: “Unë nuk kam pasur shumë kontakt me të, por ai më thirri të enjten e kaluar në mbrëmje duke thënë se ishte shumë i kënaqur me reformat e Ligës së Kampionëve, se ai mbështet plotësisht reformat dhe se e vetmja gjë ai do të dëshironte të fliste kishte të bënte me ferplejin financiar. Dhe pa dyshim që ai tashmë nënshkroi diçka tjetër”.

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, tha se ai i beson klubit londinez që ka marrë vendimin e duhur.

“Unë e di që dje por jam këtu për të qenë në garën më të vështirë. Erdha këtu për të luajtur në garat më të vështira. Unë jam pjesë e këtij klubi dhe kam besim në këtë klub për të marrë vendimet e duhura. Unë mendoj se është shumë herët për të gjykuar gjithçka dhe nuk është pjesa ime”, ka thënë Tuchel.

Për dallim prej Tuchelit, zyrtarë të skuadrave tjera nga Premier League, kanë kundërshtuar fuqishëm Superligën Evropiane.

Shefi ekzekutiv i Aston Villas, Christian Purslow, tha që ESL është një “koncept grotesk” dhe shkon kundër çdo gjëja që e përfaqëson futbolli.

“Këto propozime i heqin meritat sportive. Kjo do të mundësonte që një numër i vogël i klubeve të ishin në këtë garë që mund të ndodhë”, tha shkurt Purslow.

Ndërkohë, pronari i Leeds Unitedit, Andrea Radrizzani, reagoi nëpërmjet “Twitterit”: “Absolutisht kundër frymës sportive, ëndrra e miliona tifozëve për të pushtuar kampionët në fushë, me planifikim, vizion, punë. Vrisni ëndrrat e lojtarëve dhe tifozëve. Ekipet janë tifozë dhe NE jemi kujdestarë të klubit”.

Edhe trajneri i Southamptonit, Ralph Hasenhuttl përsëriti kundërshtimin e tij ndaj lëvizjes.

“Nuk mund të ketë ndonjë mendim tjetër në lidhje me të. Është një kërcënim i madh, ajo që unë shoh duke ardhur - luftë nga klubet e mëdha. Ne do të shohim se çfarë sjell e ardhmja, por është një kërcënim i madh dhe ne duhet ta luftojmë atë. Shpresoj se kemi tifozë me vete, dhe pa tifozët e futbollit nuk do të funksionojnë sepse klubet e mëdha kanë shumë pushtet”.

Kundër Superligës Evropiane kanë dalë edhe disa prej tifozëve të skuadrave nga Premier League, si Arsenali, Tottenhami e Liverpooli. Ndërkohë ka reaguar edhe skuadra e Bayern Munichut që ka përjashtuar mundësinë e inkuadrimit në këtë ligë elitare.

“FC Bayern nuk është përfshirë në planet për krijimin e një Superlige. Ne jemi të bindur se struktura aktuale në futboll garanton një themel të besueshëm dhe FC Bayern mirëpret reformat e Ligës së Kampionëve pasi besojmë se ato janë hapi i duhur për të ndërmarrë zhvillimin e futbollit evropian. Faza e modifikuar e grupeve do të kontribuojë në një rritje të garës”, ka thënë Karl-Heinz Rummenigge, president i Bayernit. “Unë nuk besoj se Superliga do të zgjidhë problemet financiare të klubeve evropiane që kanë lindur si rezultat i pandemisë së koronavirusit. Përkundrazi, të gjitha klubet në Evropë duhet të punojnë në solidaritet për të siguruar që struktura e kostos, veçanërisht pagat e lojtarëve dhe tarifat e agjentëve të jenë në përputhje me të ardhurat, për ta bërë më racional të gjithë futbollin evropian”. \ BBC