Sport

Rashani shpreson që me dy golat e shënuar t’i ketë kaluar telashet në Turqi

Sulmuesi i Kosovës, Elbasan Rashani, në janar firmosi kontratë me Erzurumsporin, por nuk debutoi menjëherë. Ai debutoi vetëm pas kthimit nga lëndimi, në muajin shkurt. Të shtunën shënoi dy gola në fitoren e skuadrës së tij në udhëtim nda Denizlisporit. Ishin dy golat e parë për të në Turqi. Rashani shpreson që golat të jenë pikë kthese

Fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti për Elbasan Rashanin ishin goxha të vështirë. Në dhjetor, Rashani, sa ishte ende pjesë e skuadrës norvegjeze Odd, u desh të izolohej për dy javë shkaku i infektimit me koronavirus. Ndërsa për dy javë qëndroi jashtë fushës edhe shkaku i lëndimit, në janar.

Këto dy telashe kanë frenuar sulmuesin, por Rashani shpreson të mos ketë më vështirësi tjera. Ai shpreson të ketë ardhur koha për të shkëlqyer në Turqi.

Sulmuesi i Kosovës ishte protagonist në fitoren e skuadrës së tij Erzurumspor të shtunën në udhëtim ndaj Denizlisporit me rezultatin 3:2.

Sulmuesi kosovar realizoi dy gola për të përmbysur epërsinë prej 2:1 të skuadrës vendase në 3:2.

27-vjeçari u inkuadrua në lojë në minutën e 56-të. Ai realizoi në minutën e 79-të fillimisht, për të barazuar rezultatin në 2:2. Në minutën e 86-të ishte sërish Rashani që realizoi për rezultatin 3:2.

“Ndihem shumë mirë, sepse ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për ne dhe jam i kënaqur që e kam pasur mundësinë ta jap kontributin tim”, ka thënë Rashani të dielën për KOHËN.

Sulmuesi kosovar këtë edicion ka realizuar vetëm këta dy gola në shtatë paraqitje në të gjitha garat. Thotë se e motivojnë edhe më shumë për ndeshjet e ardhshme.

“Normalisht që këto dy gola më motivojnë që të vazhdoj të luftoj edhe më shumë për ekipin tim”, është shprehur ai.

Sulmuesi 27-vjeçar u transferua te Erzurumspori si lojtar i lirë pasi kontrata me Oddsin e Norvegjisë i skadoi në fund të vitit të shkuar. Ai me ekipin turk ka firmosur kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.

“Fillimi ka qenë i vështirë për mua, kam qenë i lënduar dhe ka qenë vështirë pastaj ta zë vendin në ekipin tim. Një faktor tjetër që ka qenë jo i përshtatshëm për mua, sidomos që nuk kisha shumë kohë që i isha bashkuar klubit, ishte ndërrimi i shumë trajnerëve shkaku i humbjeve. Por tani ndihem shumë mirë dhe jam në formë të mirë”, ka theksuar Rashani.

Sulmuesi i krahut të majtë nuk e di se çka mund t’i sjell e ardhmja. Por, thotë se do të vendos për të mirën e karrierës së tij, meqë ka plane të mëdha deri në përfundim të saj.

“Shpresoj të kem shëndetin mirë në radhë të parë e pastaj unë do të punoj fort në stërvitje për të treguar se jam gati ta jap kontributin tim në çdo ndeshje. Pastaj është trajneri ai që vendos se kë do ta inkuadroj në fushë. Por unë do të jem i gatshëm për aq kohë sa trajneri mendon dhe do të tentoj të jap më të mirën, pse jo edhe të shënoj sa më shumë gola. Është roli im të shënoj dhe ta ndihmoj me asistime ekipin”, ka thënë Rashani.

I kënaqur me paraqitjen e Rashanit është ndarë edhe trajneri i Erzurumsporit, Yilmaz Vural. Ai ka thënë se inkuadrimi i Rashanit i dha ekipit shpejtësi dhe ritëm.

“Pas golit të dytë ne bëmë dy ndryshime. Ne inkuadruam Rashanin dhe Oltan në fushë. Hyrja e tyre solli gjallëri në lojë. Barazuam rezultatin në 2:2, por që nuk ishte i mjaftueshëm. Donim fitoren dhe atë e arritëm. Jemi të lumtur për fitoren”, ka thënë Vural.

Rashani është zhvilluar si futbollist te Odd në Norvegji, ndërsa për një periudhë luajti edhe te Brondby në Danimarkë dhe Rosenborgu në Norvegji. Është edhe lojtar i rregullt te Kosova që prej vitit 2016. Ka shënuar tre gola në 16 ndeshje për “Dardanët”, ndërsa para se të luante për Kosovën është paraqitur për grupmoshat e reja të Norvegjisë.

Erzurumspori po lufton për mbetje në elitë.