Sport

Bundesliga po lufton ta përfundojë sezonin pas shpërthimit të virusit

Zhvillimi i xhirove të fundit të sezonit aktual të Bundesligës u vu në dyshim të premten, pasi një shpërthim i koronavirusit te Hertha e Berlinit e detyroi klubin kryeqytetas që të futej në karantinë dyjavore. Lidhja Gjermane e Futbollit (DFL) tha se do të shtyjë tri ndeshjet e ardhshme të Herthas, pasi mbrojtësi Marvin Plattenhardt u bë anëtari i katërt i klubit që doli pozitiv brenda një dite, të enjten.

Me gjithë ekipin e detyruar të vetizolohet për dy javë, klubi i kërcënuar nga rënia në një kategori më poshtë duhet të planifikojë tri ndeshjet e ardhshme që ishte parashikuar t‘i luante brenda tetë ditëve. Schalke e kishte planifikuar udhëtimin në Mainz të dielën, një ndeshje në shtëpi kundër Freiburgut të mërkurën e ardhshme dhe vizitën te Schalke më 24 prill. Në fakt, Hertha është ekipi i parë nga Bundesliga që është detyruar të futet në karantinë për dy javë.

"Ky është hapi i duhur nga një perspektivë shëndetësore, por është pa dyshim një goditje për ne nga një perspektivë sportive. Do të duhet t’i luajmë gjashtë ndeshje para fundit të sezonit që është më 22 maj dhe nuk do të jetë aspak lehtë”, tha drejtori sportiv i Herthas, Arne Friedrich.

Pasi trajneri Pal Dardai, ndihmësi Admir Hamzagiq dhe sulmuesi i Belgjikës, Dodi Lukebakio rezultuan pozitivë në testet e kryera të enjten në mëngjes, Hertha fillimisht planifikoi të izolohej së bashku si një ekip në një hotel lokal, duke lënë mundësinë vetëm për stërvitje dhe ndeshje. Mirëpo kjo ide u prish me testin pozitiv të Plattenhardtit dhe me autoritetet lokale shëndetësore që imponuan izolimin e menjëhershëm. Këto Hertha i quajti “masa më të rrepta”.

Friedrich tha se ekipi do të zhvillonte “seanca stërvitore virtuale” në shtëpi në përpjekje për të qëndruar i aftë për pjesën tjetër të ndeshjeve që mbetën të rëndësishme në luftën për mbijetesë.

Shpërthimi i koronavirusit gjithashtu i “garanton” Bundesligës një dhimbje koke, me Ligën e Futbollit Gjerman (DFL) nën presion për ta përfunduar sezonin deri në fund të majit përpara se lojtarët të largohen për Kampionatin Evropian në verë. Shpërthime të ngjashme të virusit tashmë kishin zhytur divizionin e dytë në kaos këtë muaj, me tri klube që tashmë janë futur në vetizolim dhe janë të paafta për të luajtur.

Megjithatë, presidenti i DFL-së, Christian Seifert, tha se kishte kohë të mjaftueshme për të planifikuar të gjitha ndeshjet e shtyra. Ai ka insistuar se nuk mund të ndodhë anulimi i sezonit në këtë moment për shkak të rasteve me koronavirus.

“Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë arsye për të menduar për pezullimin e sezonit në këtë moment”, tha Seifert.

Ai shtoi se liga mund të “rimendojë” opsionin e anulimit të sezonit, nëse situata me virusin ndryshon gjatë dy javëve të ardhshme. Nëpërmjet një njoftimi, DFL-ja tha se do të njoftojë datat e reja për ndeshjet e shtyra të Herthas “në javën e ardhshme”.