Sport

Joshua dhe Fury pranojnë ofertë për meçin unifikues

Anthony Joshua dhe Tyson Fury kanë pranuar ofertën për luftën unifikuese të titujve të botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Promotori Eddie Hearn ka thënë se të dy boksierët kanë pranuar që lufta të mbahet këtë verë, raporton Sky Sports të enjten mbrëma.

Dy yjet e boksit kanë shqyrtuar oferta të shumta për meçin e jashtëzakonshëm, ndërsa fituesi do të njihet si numri një në kategorinë e rëndë.

Hearn, që është takuar me Furyn të martën, ende nuk ka zbuluar datën e saktë dhe vendin ku do të zhvillohet meçi. Por ai ka konfirmuar se Joshua dhe Fury kanë arritur marrëveshje për lokacionin.

“Të dy palët kanë pranuar ofertën për lokacionin. Tani po finalizojmë marrëveshjen dhe do të jemi në vend të mrekullueshëm”, ka thënë Hearn.

Arabia Saudite, SHBA-ja, Kina, Katari, Singapori, Dubai dhe Britania e Madhe janë prej vendeve ku mund të organizohet meçi. Por sipas Hearn, meçi patjetër do të mbahet në verë.

Joshua dhe Fury mbajnë të gjithë titujt e botës në kategorinë e rëndë.