8 perditesime
23:47

Nismë dëshpëruese për Kosovën, pëson thellë nga Suedia në “Fadil Vokrri”

Për herë të parë në nismë të një kampanje, Kosova nuk ka marrë pikë. Për më tepër, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka pësuar humbje të thellë dhe nuk ka bindur me paraqitje.

Të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova pësoi 3:0 nga Suedia. Ndeshja i takoi grupit B të eliminatoreve për kampionatin botëror “Katari 2022”. Për Kosovën ishte ndeshja e parë, por menjëherë mbetet e fundit në grup, pa pikë, njëjtë si Gjeorgjia që i ka dy humbje.

Suedia ndërkohë regjistroi fitoren e dytë dhe del në vend të parë në grup.

Ndaj Suedisë, Kosova ka pasur disa mungesa dhe ato janë vërejtur. Ndër të tjera, ka munguar mbrojtësi i qendrës Amir Rrahmani e po ashtu Ibrahim Dresheviq. Portieri Arijanet Muriq ishte përjashtuar nga grumbullimi për thyerje të rregullave disiplinore, ndërsa Herolind Shala nuk ishte grumbulluar.

Pas ndeshjes ka pasur kritika të shumta për mbrojtjen dhe portierin Samir Ujkani. E tërë mbrojtja reagoi plogësht në minutën e 12-të, kur Ludwig Augustinsson shënoi për 1:0. Për të asistoi Zlatan Ibrahimoviq që e preku topin para Samir Ujkanit, pas dështimit të mbrojtjes për të larguar topin.

Menjëherë në minutën e 35-të, Suedia dyfishoi epërsinë. Alexander Isak shënoi gol të bukur, duke kaluar topin mes këmbëve të Samir Ujkanit. Sërish mbrojtja nuk ishte në nivel të detyrës, duke lejuar që topi gjatë të mbetej në zonë.

Në pjesën e parë te Kosova në disa raste i rrezikshëm u shfaq Vedat Muriqi. Por ai nuk konkretizoi me sukses.

Dhe pjesa e dytë nuk prodhoi thuajse asgjë për Kosovën. Ndërkohë Suedia shënoi edhe një gol përmes Sebastian Larssonit. Ai konkretizoi penallti në minutën e 70-të, pasi Milot Rashica e preku topin me dorë në zonë, pas një rivënieje nga këndi.

Ndërkohë fare në fund u përjashtua Bernard Berisha që mori kartonin e dytë të verdhë. Ai kartonin e parë e mori në minutën e 88-të, pasi u aktivizua në minutën e 83-të.

Selektori Bernard Challandes ka thënë se ndeshja i kishte dy pjesë të ndryshme. Ai ka vlerësuar paraqitjen në pjesën e parë, por jo edhe në të dytën.

“Kemi zhvilluar dy ndeshje, pjesa e parë nuk ishte e keqe, kishim disa mundësi të mira. Luajtëm prapë me kurajë dhe ishte mirë. Kemi marrë dy gola të çuditshëm. Kishim mundësitë tona përballë një kundërshtari të fortë. Pjesa e dytë nuk ishte aspak e mirë, nuk kishim besim dhe mendoj se ekipi ishte pa zjarr”, ka thënë Challandes. “Ishin pesë lojtarë me gjatësi të madhe dhe ishte e vështirë për ne të ballafaqoheshim me ta, sidomos kundër Ibrahimoviqit që nuk arritëm ta ndalnim në lartësi. Faza defensive nuk ishte edhe aq keq përballë kësaj përfaqësueseje të fortë. Ekipi luftoi, nuk mund të ankohem në këtë aspekt. Suedia ishte shumë e fortë për ne sot. E pamë që kishim ndryshuar mbrojtjen dhe mesfushën dhe nuk ishte situatë e lehtë për ne”, ka shtuar Challandes.

Ndërkohë Vedat Muriqi ka shprehur keqardhje për rastet e humbura.

“Filluam ndeshjen, nuk po them me gabime personale, por me këso ekipe mund te pësosh edhe me gjysmë gabime. Pata edhe unë raste, sulmuesi humb, por duhet të jemi më të kujdesshëm në këtë ndeshje. Dy raste patëm në këtë ndeshje dhe është dashur ta shfrytëzoja vetëm një. Kërkoj falje, por nuk kam çka të bëj”, ka thënë Muriqi.

Tani Kosovën e pret ndeshje edhe më e vështirë, ndaj Spanjës në udhëtim. Kosova nuk ka treguar se po kalon krizën që e kishte vitin e kaluar, me gjithë fitoren ndaj Lituanisë në miqësore.

“E humbëm këtë ndeshje në mënyrë shumë të çuditshme. Golat i morëm pa lidhje, referi ishte skandal. Shanset i kishim, nuk ishte nata jonë, sepse kemi mundur të bëjmë më shumë në çdo aspekt. Ka ndodhur kjo, por duhet të vazhdojmë se kemi ndeshje të vështirë me Spanjën”, ka thënë portieri i Kosovës, Samir Ujkani. Ai ka fajësuar arbitrat duke vlerësuar se ata nuk e kanë respektuar ekipin e Kosovës. Ai, megjithatë, ka pranuar se ka gabuar te goli i parë.

“Kemi pasur raste, por topi nuk deshi të hyjë në rrjetë. Kemi provuar edhe në pjesën e dytë, por penalltia na i këputi këmbët. Tani do të tentojmë të kemi paraqitje të mirë në Suedi”, ka thënë Ujkani.

22:37

Suedia shënon fitore bindëse në “Fadil Vokrri”

Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar disfatë nga Suedia në “Fadil Vokrri” me rezultat të thellë 3-0.

Goli i parë në këtë ndeshje erdhi në minutën e 17-të përmes Viktor Claesson, i cili shënoi pas asistimit të Zlatan Ibrahimoviqit. Minuta më vonë, respektivisht në të 35-n, 21-vjeçari Alexander Ixak ngriti epërsinë në 2-0, pas një tollovie në zonën e vendasve. Me dy gola epërsi, Suedia shkoi në pushim.

Goli i fundit në këtë ndeshje erdhi në minutën e 70-të përmes kapitenit Sebastian Larsson. Një lojë me dorë nga vendasit, ia dhuroi Suedisë një penallti, e cila u konkretizua me gol. Kosova në këtë takim përveç disa rasteve sporadike nuk dhuroi gol.

Me këtë disfatë, Kosova renditet e fundit në tabelën e Grupit B, të kualifikimeve për Botërorin Katari 2022. Kjo ishte ndeshja e parë e saj në këtë fazë.

Suedia renditet e para me 6 pikë.

22:13

Suedia realizon golin e tretë

Suedia ka realizuar edhe golin e tretë ndaj Kosovës. Nga pika e bardhë, i saktë është kapiteni Sebastian Larsson, i cili shënoi në minutën e 70-të të ndeshjes.

21:50

Nis pjesa e dytë

Ka nisur pjesa e dytë mes Kosovës dhe Suedisë në fazën e kualifikimeve për Botërorin Katari 2022, në Grupin B. Suedia udhëheqë 2-0.

21:32

Suedia shkon në pushim me dy gola epërsi

Pjesa e parë mes Kosovës dhe Suedisë ka përfunduar 2-0 për mysafirët. Golin e parë e realizoi Viktor Claesson në minutën e 12-të, pas një asistimi nga Ibrahimoviq, ndërsa i dyti u shënua nga Alexander Isak, në të 35-n.

“Dardanët” patën disa mundësi të mira shënimi, siç ishin ato të Vedat Muriqit në minutën e 21-të dhe të 34-n dhe të Bersant Celinës në të 42-n ku tentoi të parabolojë portierin. Asnjëra nga to nuk u konkretizua si duhet.

21:20

Suedia dyfishon epërsinë

Suedia ka dyfishuar epërsinë përmes Alexander Isak në minutën e 35-të. 21-vjeçari realizoi pas një tollovie në zonën e rreptësisë së vendasve.

 

20:57

Suedia kalon në epërsi

Skuadra e Suedisë ka kaluar në epërsi ndaj Kosovës në minutën e 12-të, përmes Viktor Claesson.

Për golin asistoi sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq.

Ndërkohë, në minutën e 17-të, Suedia pati mundësinë për të realizuar golin e dytë përmes Alexandër Isak, mirëpo i njëjti gaboi në portën e zbrazët.

Gol ka mundur të realizojë edhe Vedat Muriqi në minutën e 21-t por nuk e shfrytëzoi asistin me kokë nga Milot Rashica.

 

20:46

Nis ndeshja Kosovë-Suedi

Ka nisur ndeshja mes Kosovës dhe Suedisë në kuadër të kualifikimeve për Katarin 2022, e cila po zhvillohet në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

Kosova dhe Suedia gjenden në Grupin B.

19:40

Formacionet zyrtare: Kosovë – Suedi

Janë publikuar formacionet zyrtare për ndeshjen kualifikuese të Botërorit “Katari 2022” ndërmjet Kosovës dhe Suedisë. Te Suedia në këtë takim nga minuta e parë do të jetë Zlatan Ibrahimoviq.

Kosova: Ujkani; Kololli, Aliti, Vojvoda, Hadergjonaj, Kryeziu, Halimi; Zeneli, Celina, Rashica; Muriqi.

Suedia: Nordfeldt; Lustig, Lindelof, Helander, Augutinsson; Olsson, Forsberg, Larsson, Claesson; Isak, Ibrahimovic

Ndeshja Kosovë – Suedi, zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

 

Image
Image