5 perditesime
20:35

Ismet Krasniqi rrëzon Besim Hasanin nga kreu i KOK-ut

Ismet Krasniqi është presidenti i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës për ciklin olimpik 2021-2024. Krasniqi arriti ta rrëzonte nga kjo pozitë pas më shumë se dy dekadave, Besim Hasanin. 

Nga 105 delegatë të pranishëm, 53 vota mori Krasniqi, 41 Hasani dhe 11 kandidatja nga Federata e Basketbollit të Kosovës, Linda Shala. 

Kandidatura e Krasniqit erdhi nga Federata e Atletikës së Kosovës. 


Hasani uron Krasniqin: Ishte fitore e merituar 

Tashmë ish-presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, e ka pranuar me sportivitet humbjen në garën për të parin e këtij Komiteti, duke i uruar suksese Ismet Krasniqit.

''Të nderuar delegatë, dëshiroj t’iu falënderoj për bashkëpunimin që e kemi pasur për më shumë se dy dekada, ku kemi arritur të avancojmë sportin që ka autoritet në botën ndërkombëtare. Uroj që Ismet Krasniqi si kryetari i ri i KOK-ut ta shtyejë këtë proces më tutje. Ishte fitore më se e merituar dhe i uroj suksese e plotë shëndet'', deklaroi Hasani.  


Krasniqi ia dedikon fitoren vëllait të tij

Presidenti i ri i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ia ka dedikuar fitoren vëllait të tij, që sipas tij, ishte motivi kryesor për të arritur deri në këtë pikë.

“Iu falënderoj për përkrahjen dhe mundësinë. Iu premtoj që vota juaj nuk do të shkojë dëm. Unë do të sakrifikoj për juve. Unë jam humbësi e ju jeni fitues. Me zemër dhe shpirt bashkë do të ecim në rrugëtimin tonë. Këtë fitore ia dedikoj njeriut që më ka dhënë motivim, është vëllai im”, u shpreh pas fitores Krasniqi.


Majlinda Kelmendi jep dorëheqje nga kandidatura për anëtare të bordit

Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi ka dhënë dorëheqje nga kandidatura për anëtare të bordit.

“Dua të uroj presidentin e ri për postin në KOK, një post me përgjegjësi për të cilin e uroj. Jap dorëheqje prej kandidaturës prej anëtare të bordit për shkak të angazhimeve të shumta që i kam. Kështu që, dua ti njoftoj të gjithë që jap dorëheqje“, ka thënë Kelmendi.

Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të KOK-ut, do të emërohet edhe bordi i ri.

Në vend të Kelmendit, Musa Hajdari do të përfaqësojë sportistet në kandidaturën për bordin e KOK-ut. 


Zgjedhen nënkryetarët e ri të KOK-ut

Komiteti Olimpik i Kosovës ka zgjedhur nënkryetarët e rinj, në Kuvendin e rregullt të Punës.

Delegatët e KOK-ut i kanë dhënë besimin Gazmend Maxhunit (58 vota), Milaim Kelmendit (49), Eugen Saraçinit (38) dhe Mimoza Shkodra-Bislimit (38), për të qenë nënkryetarët e rinj, me në krye Ismet Krasniqin.

19:02

Federata e skermës dhe teqballit anëtarësohen me të drejta të plota në KOK

Federata e skermës dhe teqballit kanë marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare të plota në Komitetin Olimpik të Kosovës.

Me 51 vota për, 49 kundër – shumica e delegatëve vendosën që këto dy federata të jenë anëtare më të reja të KOK-ut, që gjithashtu do të kenë të drejtë vote. 

Paraprakisht, Kuvendarët reaguan ndaj pranimit të këtyre dy federatave, pasi thanë se është shkaku i votave.

Por, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, ka thënë se këto konstatime janë të pabaza.

Nga ky moment, bie edhe bordi i KOK-ut. 


Krasniqi refuzon të ulet me anëtarët e bordit, i kërkon të njëjtën gjë edhe Hasanit

Kandidati për kryetar të KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka refuzuar të ulet aty ku ishin të vendosur anëtarët e bordit për të procesuar me Kuvendin e Punës.

Krasniqi madje ka kërkuar largimin nga ato ulëse edhe të kryetarit aktual të KOK-ut, Besim Hasanit dhe të ulet bashkë me delegatët.

Për këtë reagoi sekretari Shasivar Haxhija, i cili tha se në bazë të statutit Hasani duhet të qëndrojë në krye.

Por Krasniqi përsëriti që ai do të ulet aty vetëm nëse delegatët vendosin ta votojnë.

16:26

Nuk është pranuar kërkesa që t’i merret e drejta e votës Federatës së Lundrimit

Sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi, ka kërkuar që të i merret e drejta e votës Federatës së Lundrimit të Kosovës, me arsyetim se nuk ka asnjë aktivitet.

“Një federatë ka tri vota pa asnjë aktivitet. Nuk jemi me i përjashtu, po me i marr të drejtën e votës për Federatën e Lundrimit”, ka thënë Gashi.

Por, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka thënë se vendimi i Bordit ka qenë që të mos i merret e drejta e votës, por vetëm të tërhiqet vërejtja pasi shkalla e shkeljes nuk ka qenë e nivelit që t’i merret e drejta e votës.

“Është ftuar Federata e Lundrimit dhe pas shumë diskutimeve është vlerësuar se shkalla e mosaktivitetit të lundrimit nuk është i dëmeve të mëdha në raport me KOK-un. Në këtë rast vendimi është t’i jepet vërejtje të përmirësohet dhe të bëjë më shumë aktivitete. Dhe i ka dhënë afat një vit dhe në fund të vendoset a duhet apo jo ndonjë masë”, ka thënë Haxhija.

Nënkryetari i KOK-ut, Milaim Kelmendi, njëherit kryetar i Federatës së Skitarisë, ka thënë se duhet të dalin përfaqësuesit e të gjitha federatave e të dëshmojnë se gëzojnë të drejtë vote.

“Të dalin dhe të dëshmojnë që gëzojnë drejt vote në këtë Kuvend, duke dëshmuar se kanë gjitha certifikatat e klubeve”, ka thënë Kelmendi, i cili ka shtuar se këtë kërkesë e ka bërë edhe në Bordin e KOK-ut.


Po shqyrtohet anëtarësimi i plotë i federatave të skermës dhe teqballit

Dy federata të reja, ajo e skermës dhe teqballit, kanë aplikuar për anëtarësim me të drejta të plota në Komiteti Olimpik të Kosovës.

“Dy federata kanë aplikuar. Fjalë për Federatën e Skermës dhe Federatën e Teqballit të Kosovës. Në bazë të dokumentacionit të sjellë, Bordi ka vendosur të pranojë dhe tani po shqyrtohet para jush të pranohen me të drejta të plota. Kompetencë e Bordit të KOK-ut është t’i pranojë përkohësisht. Ngjashëm është rregulluar në asamblenë e kaluar kur u pranuan 10 federata të reja”, ka thënë kryetari i KOK-ut, Besim Hasani.

Në Asamble është duke u shqyrtuar tash votimi nëse këto dy federata do të pranohen me të drejta të plota.

Kuvendarët po reagojnë ndaj pranimit të këtyre dy federatave, po thonë se është shkaku i votave.

Por, nga kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, ka thënë se këto konstatime janë të pabaza.


Raporti i punës dhe ai financiar kalojnë në mënyrë unanime

Raporti i punës dhe ai financiar kanë kaluar në mënyrë unanime në asamblenë zgjedhore e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Raporti i punës kaloi pa asnjë abstenim apo votë kundër, ndërsa ai financiar pati një votë abstenuese nga delegatët. Edhe shqyrtimi i raportit të auditorit kaloi pa ndonjë pengesë.

Ndërkohë, janë duke u bërë përgatitjet për fletëvotimet për të pranuar ose jo me anëtarësi të plotë dy federatat e reja, atë të skermës dhe teqballit.

16:14

Çeku: Prioritet do të jetë mbështetja e sportistëve që kanë fituar norma e kanë rezultate

Ministri i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë se prioriteti i dikasterit që ai drejton do të jetë do të jetë mbështetja e sportistëve që kanë fituar norma e kanë rezultate.

Çeku këto komente i bëri në asamblenë zgjedhor të Komitetit Olimpik të Kosovës, që po mbahet aktualisht në një nga hotelet në Prishtinë, për të zgjedhur kryetarin e ri.

“Situata pandemike ka krijuar situatë jo të mirë, edhe në nivel global. Megjithatë, MKRS-ja ju përgëzon për punën dhe sukseset përkundër kufizimeve. Prioritet do të jetë mbështetja e sportistëve që kanë fituar norma dhe atyre që kanë rezultate. Uroj ta bëni krenar çdo qytetar të Kosovës për të arritur ndonjë medalje ashtu siç kanë arritur në lojërat e kaluara, ku falë Majlinda Kelmendit fituam medaljen e artë. Driton na ke bërë krenar”, tha Çeku.

Në sallë janë të pranishëm 99 delegatë, nga 102 sa janë në total. Për të marrë kandidaturën e të parit të KOK-ut duhen 50+1 vota të delegatëve, ose shkohet në balotazh. Në garë për këtë pozitë janë Besim Hasani, kryetari aktual, Linda Shala dhe Ismet Kransiqi. 

15:44

Nis punën asambleja zgjedhore e KOK-ut

Ka nisur punën asambleja zgjedhore e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ndonëse ishte paraparë të fillonte në orën 15:00, kjo mbledhje ka nisur 40 minuta me vonesë.

Besim Hasani, Ismet Krasniqi dhe Linda Shala janë kandidatët e vetëm që do të garojnë për ta fituar besimin që ta drejtojnë në katër vjetët e ardhshëm Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK). Të tre kandidatët janë shprehur optimistë se do ta fitojnë garën për të parin e KOK-ut. Hasani, Krasniqi dhe Shala javën e shkuar kanë paraqitur edhe programet e tyre në adresë të asamblistëve dhe Federatave sportive.

08:29

Sot vendoset për të parin e KOK-ut

Besim Hasani, Ismet Krasniqi dhe Linda Shala janë kandidatët e vetëm që do të garojnë për ta fituar besimin që ta drejtojnë në katër vjetët e ardhshëm Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK). Të tre kandidatët janë shprehur optimistë se do ta fitojnë garën për të parin e KOK-ut. Hasani, Krasniqi dhe Shala javën e shkuar kanë paraqitur edhe programet e tyre në adresë të asamblistëve dhe Federatave sportive. Asambleja e Punës dhe ajo Zgjedhore e KOK-ut do të nisë nga ora 15:00, të enjten, dhe do të mbahet në hotelin “Emerald” në Prishtinë. Fillimisht është paraparë të mbahet Asambleja e Punës, ndërsa më vonë ajo Zgjedhore.

Kreu aktual i KOK-ut, Besim Hasani, është optimist se do ta fitojë edhe një mandat tjetër. Hasani në krye të KOK-ut është që nga viti 1996. Ai është edhe kryetar i Federatës së Karlingut të Kosovës, i zgjedhur në vitin 2011, ndërsa ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës dhe Sportit të Kosovës. Në të kaluarën Hasani ka fituar bindshëm garën me kundërkandidatët tjerë duke pasur përkrahjen e madhe të asamblistëve. Por, për mandatin e ri, vlerësohet se do të jetë garë e ngushtë. Edhe më të ngushtë e kanë bërë garën ndryshimet në disa federata, që pritet të jenë vendimtare.

“Unë besoj se do ta fitoj këtë garë dhe do ta vazhdoj punën time. Jam optimist për këtë pasi kam ende çka t’i jap komunitetit sportiv”, ka thënë Hasani për KOHËN, i cili është në krye të KOK-ut tashmë 24 vjet.

Favorite e sheh veten edhe Shala që bazën deleguese e ka nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).

“Besoj fuqishëm që do ta kem përkrahjen e kuvendarëve, përfaqësuesve të federatave sportive dhe se do të zgjidhem kryetare e Komitetit Olimpik të Kosovës”, ka thënë Shala për KOHËN.

Ajo ka shtuar se dallon prej Hasanit, kryetarit aktual të KOK-ut, dhe kandidatit tjetër, Krasniqi, për shkak të përvojës së saj. Mirëpo, edhe Ismet Krasniqi, që bazën deleguese e ka nga Federata Atletike e Kosovës (FAK), thotë se ka përkrahje të mjaftueshme për t’i mposhtur dy kundërkandidatët e tjerë dhe thotë se përfundimisht ka ardhur koha për ndryshime në KOK.

“Unë kam marrë përgjegjësinë për të ngritur zërin tim dhe për të sjellë idetë e mia të zhvillimit përpara, pasi jam i bindur që mund të kontribuoj në zhvillimin e sportit në Kosovë duke u bërë presidenti i ardhshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës. Fokusi im kryesor ka qenë dhe do të jetë gjithmonë përfshirja e njerëzve profesionistë dhe të përkushtuar në punën e KOK-ut dhe lëvizjes sportive, si dhe Lëvizjes Olimpike. Unë premtoj se politikat dhe stafi im menaxhues do të jenë gjithëpërfshirëse, dhe unë gjithmonë do t’ua jap shansin të gjithëve, të cilët dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Komitetit Olimpik. Unë do të bëj çmos të promovoj vlerat reale të demokracisë dhe do të shërbej për nevojat e komunitetit sportiv dhe për nevojat e Komitetit Olimpik. Shpresoj se komuniteti i sportit do te vlerësojë programin tim pozitivisht gjatë fushatës zgjedhore dhe do të më përkrahë”, ka thënë Krasniqi.

Në fakt, KOHA ka siguruar edhe nga një kopje të secilit prej programeve të tre kandidatëve për president të ardhshëm të KOK-ut. Nga programet e tyre ka veçuar pikat kryesore të planit të punës së tyre në krye të KOK-ut për mandatin katërvjeçar.

Zgjedhjet ishte kërkuar të mbaheshin pas Lojërave Olimpike, që mbahen gjatë verës në Tokio, e ku Kosova pretendon të shkojë me më shumë se pesë norma olimpike.

Madje kërkon që nga Tokio të kthehet edhe me medalje olimpike. Kosova e ka fituar një medalje olimpike. Është xhudistja Majlinda Kelmendi që në vitin 2016, në Rio, fitoi medaljen olimpike.