Sport

Pavarësisht humbjes, Duro thotë se Nikli s’lufton për mbijetesë

Pavarësisht se skuadra e Feronikelit pësoi nga skuadra e fundit në tabelë, Besa, trajneri i ekipit nga Drenasi, Klodian Duro, beson se skuadra e tij po luan futboll evropian.

Ai e ka uruar pas ndeshjes Besën për fitore, por sërish ka mbetur i pakënaqur me gjykimin.

“Nuk futemi në luftën për mbijetesë. E dimë gjithë se çfarë ekipi ka Feronikeli. E kemi parë në kampionat. Vinim nga dy përballje të forta ndaj Prishtinës në ligë dhe në Kupë. Ndikoi orari i ngjeshur. Duhet të merrnim maksimumin, provuam gjithçka por, përballë gjithçkaje, nuk ia arritëm. E uroj Besën. Organeve ia lë ta gjykojnë çdo gjë që organizon në Kampionatin e Kosovës. Kanë komisione që verifikojnë çdo gjë. Nuk dua të merrem me penallti. Kam shumë punë me ekipin, kemi treguar futboll evropian. Do ta vazhdojmë rrugën tonë. Objektivi është që të vazhdojmë të jemi një klub që kërkon të fitojë trofe”, ka thënë pas ndeshjes Duro.

Besa fitoi të shtunën 2:1.

Feronikeli ka 31 pikë në pozitën gjashtë në tabelë, vetëm katër më shumë se Drenica që është e nënta, pozitë kjo që çon në Ligën e Parë.