Herolind Shala nuk është pjesë e ekipit të Kosovës për ndeshjet e këtij muaji. Shala të mërkurën për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës ka thënë se është i infektuar me koronavirus. Por, ai u ka uruar sukses lojtarëve tjetër për ndeshjet e këtij muaji. Challandes të mërkurën e ka bërë publike listën prej 27 lojtarëve për ndeshjen miqësore kundër Lituanisë dhe ndaj Suedisë e Spanjës kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”. Ndaj Lituanisë luan më 24, ndërsa ndaj Suedisë dhe Spanjës më 28 përkatëisht 31 mars.
”Ka disa ditë që jam prekur nga Covidi-19. Ditët e para kanë qenë goxha të vështira, ngase kam pasur temperaturë dhe ethe, derisa tash jam më mirë dhe besoj që për pak ditë do ta tejkaloj edhe këtë sfidë. Falënderoj edhe stafin e Kombëtares dhe presidentin Ademi që vazhdimisht më kanë telefonuar dhe janë interesuar për shëndetin tim, ashtu sikurse edhe bashkëlojtarët. Më vjen keq që kësaj radhe nuk do të jem afër tyre për t’i ndihmuar, por ja që ndodhi që të prekem me virus pikërisht para këtij grumbullimi të Kombëtares”, ka thënë Shala që së fundi iu bashkua skuadrës së Stabaekut të Norvegjisë. “Kam nënshkruar kontratë njëvjeçare me klubin Stabaek, i cili ka objektiva të mëdha për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane. Por, fati deshi që tani i gjithë ekipi është në karantinë apo thënë më mirë në izolim total. Po ashtu, edhe autoritetet e vendit kanë vendosur masa më të rrepta në luftën për koronavirus dhe si rrjedhojë edhe kampionati është shtyrë deri më 2 maj”, ka shtuar Shala.