Sport

Barazim dramatik i Kosovës me Rumaninë

Hendbollistët e përfaqësueses së Kosovës kanë treguar paraqitje të dinjitetshme përballë Rumanisë.

“Dardanët” të mërkurën mbrëma ndalën në barazim rumunët me rezultatin 23:23, në ndeshjen që i takoi fazës së dytë kualifikuese për Evropianin e vitit 2022.

Hendbollistët e Kosovës u angazhuan gjatë tërë ndeshjes për ta siguruar një barazim në këtë ndeshje të vështirë. Ata për herë të parë ishin të drejtuar nga selektori i ri, Bujar Qerimi.

Qerimi është ndarë i kënaqur me paraqitjen e hendbollistëve të tij. Ka vlerësuar karakterin e treguar gjatë tërë takimit, ndërsa vlerëson lart paraqitjen në pjesën e dytë. Pjesa e parë përfundoi me pesë gola dallim në të mirë të rumunëve, 14:9.

Ky barazim për Kosovën është arritur pas dy humbjeve në ndeshjet e para, nga Mali i Zi dhe Suedia.

Rumania ka suksese të mëdha në hendboll. Katër herë ka qenë kampione e botës në vitet 1960 dhe 1970, ndërsa ka edhe një të argjendtë e tri të bronzta olimpike. Ndërkohë liga rumune vlerësohet shumë cilësore. Rumunët kishin ardhur për fitore bindëse, por me mund morën një pikë.

“Atë që kam pritur nga lojtarët, atë e kanë realizuar. Kanë dëgjuar, kemi bërë disa gjëra, ndoshta unë kam shkuar pak më larg, mirëpo koha e shkurtër dhe jam munduar ta zvogëloj nivelin apo bisedat që kemi pasur në anën taktike për të mos u zgjeruar shumë dhe të fokusohemi në rezultatin sa më të mirë të mundshëm që ta arrijmë. Mjerisht goli i fundit nuk e di a ka qenë brenda apo jo, mirëpo kjo është një pikë e madhe përballë një Rumanie të madhe në hendboll”, ka thënë Qerimi.

Fillimi i takimit ishte i barabartë me lojtarët e Kosovës që luanin mbrojtje të fortë për të mos i lejuar rumunët të shkëputen në shumë gola. Por gradualisht gjërat ndryshuan. Rumunët në minutat e fundit të pjesës së parë kishin një epërsi bindëse. Vendimtare ishte pjesa e dytë. Fillimisht Kosova për herë të parë barazoi rezultatin në 18:18, ndërsa pati edhe dy barazime të tjera, 21:21 dhe 22:22.

Madje Kosova në fund të takimit pati rastin edhe ta fitonte ndeshjen, që do të ishte rezultat historik. Katër minuta pa përfunduar takimi Kosova kaloi për herë të parë në epërsi me rezultatin 23:22. Rastin e fundit për ta fituar ndeshjen e kishin rumunët. Por aksioni i tyre në finish shkoi huq.

“Para 6-7 vjetësh Rumania na shkelte, ndërsa tani jemi bërë një përfaqësuese e fortë. Të gjithë kemi luajtur një nivel të lartë, kemi dhënë maksimumin edhe në stërvitje. Kam thënë gjithmonë se në Kosovë nuk i frikësohem, kurse jashtë kemi pak frikë, por nëse luajmë si në pjesën e dytë të bashkuar, besoj se mund të arrijmë rezultat të mirë”, ka theksuar kapiteni Valon Dedaj.

Për këtë fitore kanë dhënë kontribut të gjithë lojtarët.

“Kemi pritur fitore, por e kemi ditur se nëse qëndrojmë të relaksuar, nëse nuk kemi kujdes në situata të ndryshme, mund të ndodhë si ndodhi. Por, mendoj se e kontrolluam pjesën e parë. Në fazën defensive kemi luajtur mirë. Kemi bllokuar gjuajtje dhe portieri pati paraqitje të mirë dhe gjetëm zgjidhje për situata të ndryshme. Në pjesën e dytë ishim paksa të padisiplinuar. Nëse luan 30 minuta vetëm në sulm, nuk mund ta fitosh ndeshjen. E përgëzoj ekipin e Kosovës. Tregoi vendosmëri, ndërsa tani e kemi vëmendjen te ndeshja e së dielës”, ka thënë përzgjedhësi i Rumanisë, Rares dan Fortuneanu.

Kosova ishte takuar me Rumaninë në eliminatoret e para të saj, ato për Evropianin 2018. Si vendëse Rumania kishte fituar 36:24, kurse ndeshja në Prishtinë u mbyll me shifrat 30:16. Ndeshjet ishin luajtur në vitin 2014. Vjet humbi me 11 gola dallim në Itali.

“Nuk kemi pritur rezultat të tillë, sepse në pjesën e parë patëm 6 gola epërsi, ndërsa në pjesën e dytë u relaksuam dhe ata u kthyen në lojë. Rezultatin e shohim, barazuam. Kjo është keq për ne”, është shprehur hendbollisti rumun, Andrei Buzle.

Me të njëjtën përfaqësuese hendbollistët e Kosovës luajnë edhe të dielën në Bukuresht.