Sport

Rekordet e veçanta të Pejës e Radoviqit, dëshmi e jostabilitetit të skuadrave

Prishtinë, 4 mars – Nisi me kroatin Edi Xhelalija. Vazhdoi me turkun Shemsettin Bash, e më pas me maqedonasin Jordanço Davidkov. Tani vazhdon me malazezin Dragan Radoviq.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë cikël disavjeçar. Bëhet fjalë për një periudhë pak më të gjatë se katër muaj të klubit me nam të basketbollit, Peja. Si asnjëherë më parë, Peja ka ndërruar plot katër trajnerë gjatë një edicioni të vetëm. Kjo më shumë se çdo gjë tjetër dëshmon për mungesë të plotë të stabilitetit në klubin pejan, dikur mburrje e qytetit të sportit.

Në një edicion të pazakontë të Pejës dhe të Superligës kosovare, edhe ndërrimi i katër trajnerëve për pak më shumë se gjysmë edicioni nuk po vlerësohet shumë befasi.

Peja të enjten u nda me Davidkovin, njërin prej trajnerëve më të vlerësuar të vendit fqinj, Maqedonisë së Veriut. Menjëherë të enjten emëroi trajnerin e ri, malazezin Radoviq.

Nëse për asgjë tjetër, Radoviq përshtatet me Pejën për ndërrimet e shumta të këtij edicioni. Ai nisi me Golden Eagle Yllin e Suharekës, ku vlerësohej lart. Por, për mungesë rezultatesh, u nda me suharekasit. Vazhdoi me Sigal Prishtinën, të cilën e udhëhoqi drejt triumfit në garën për Kupë të Kosovës. Por, kriza te Prishtina bëri që Radoviq shpejt të ndahet me skuadrën e kaltër. Dhe ai mori përsipër drejtimin e një skuadre që nuk ka treguar fare stabilitet dhe për të cilën mendohet se ka telashe të mëdha financiare. Edhe për një trajner, ndryshimi i katër klubeve brenda një edicioni nuk është fare i zakonshëm. Por, Radoviq e ka bërë këtë.

Nuk përjashtohet mundësia për ndonjë ndryshim tjetër. Deri në fund të pjesës së rregullt të edicionit kanë mbetur edhe shtatë xhiro. Më pas është plejofi. Pra, edhe shumë ndeshje të tjera. Dhe me tempon aktuale ndryshime të tjera nuk përjashtohen. Nëse jo te Peja, te skuadrat e tjera gjithsesi.

Në të vërtetë, ka disa vjet që Peja vuan për mungesë stabiliteti. Ka luajtur vetëm me vendorë, është larguar nga garat, është thënë të jetë shuar, është kthyer papritur dhe pa përfillur garën. Ka fituar trofe, ka mbledhur lojtarë cilësorë të vendit e të huaj. Është futur prapë në krizë. Ka fituar ndeshje të mëdha, ndërsa ka humbur ndeshje me autsajderë ku ka rënë në sy mungesa e angazhimit të lojtarëve. Dhe tani sërish ndryshon trajner, angazhon lojtarë cilësorë të huaj, e njërin prej lojtarëve më të mirë të vendit, Lis Shoshin. Dhe ia beson ekipin Radoviqit, njërit prej trajnerëve më të vlerësuar aktualisht në Kosovë.

Por, Peja nuk është e vetmja. Edhe skuadra të tjera kanë mungesë stabiliteti. Trajnerët deri më tani nuk i kanë ndryshuar vetëm Bashkimi e Ponte Prizreni. Derisa Bashkimi po i beson Illmen Bajrës, Ponte Prizreni udhëhiqet nga Arbnor Rifati. Rifati në fakt është njeriu kryesor në klub dhe nuk mendohet largimi i tij nga pozita e trajnerit.

Prishtina ka nisur me Andin Rashicën. Vazhdoi me Radoviqin, që dha dorëheqje më 24 shkurt, dhe prej atëherë zyrtarisht nuk ka emëruar trajner tjetër. Rashica po e udhëheq sërish skuadrën.

Ylli, Rahoveci, Trepça e Vëllaznimi kanë trajnerët e dytë aktualisht.

“Një sezon i vështirë, ndryshe në shumë aspekte dhe me shumë çudira. Ne sot prezantojmë trajnerin e katërt për këtë sezon. Ai është trajneri me përvojë dhe me trofe në basketbollin e Kosovës. Dragan Radoviq do të jetë trajneri ynë i ri, i cili duke i ditur të gjitha problemet tona ka vendosur të na bashkohet dhe ta bëjmë një mbyllje sa më të suksesshme të sezonit”, ka njoftuar Peja, duke pranuar “çuditë” dhe problemet e brendshme.

Shumë gjëra janë të panjohura lidhur me funksionimin e Pejës, por edhe të skuadrave të tjera. Skuadrat vazhdojnë të jenë të mbushura me lojtarë të huaj, ndërsa thuajse të gjitha kanë trajnerë të huaj.

Radoviq ka disa vjet që punon në Kosovë. Dhe ka vendosur ta pranojë ofertën e Pejës.

“E mora thirrjen dhe ofertën nga ekipi i Pejës që të jem trajner deri në fund të sezonit. Kështu që, arritëm marrëveshje shumë shpejt dhe fillojmë menjëherë stërvitjet për shkak se nuk kemi kohë për të humbur. KB Peja ka ambicie të mëdha këtë sezon, kështu që përshtateshin plotësisht me synimet e mia dhe vendosa të kthehem sërish”, ka thënë Radoviq për KOHËN.

“Është një kampionat shumë interesant dhe i paparashikueshëm prej fillimit. Deri në fund pres një luftë të vërtetë. Synimi kryesor është që të futemi në plejof dhe pasi të arrihet kjo atëherë gjithçka është e mundur dhe e hapur. Për fillim, gjëja më e rëndësishme është ekipi që të jetë i kompletuar dhe mos të kemi lëndime. Pastaj ta gjejmë mënyrën më të mirë të mundshme që cilësia jonë të dalë në pah dhe të jemi plotësisht të gatshëm për ndeshjet më të rëndësishme të plejofit”, ka shtuar trajneri malazez.

Ai pranon se ndërrimi i katër skuadrave brenda një edicioni nuk është i zakonshëm. Por, thotë se si trajner pa punë i ka shqyrtuar të gjitha opsionet e mundshme për vazhdimin e karrierës.

“Nuk është e zakonshme që një trajner t’i ndërrojë tri ekipe në sezonin e njëjtë dhe shtetin e njëjtë, por ndodhi edhe kjo. Edhe kjo gjë i ka përparësitë e veta, siç është njohja më e mirë e ligës dhe lojtarëve, si dhe mund të adaptohesh sa më shpejt. Largimi nga Prishtina nuk ishte vendim i lehtë, por ndjeva se duhej të ndërmerrja një veprim të tillë. Është çështje e natyrës personale. E falënderoj Prishtinën për besimin që pati në mua dhe i dëshiroj shumë suksese në vazhdim të sezonit. Kurrë nuk kam menduar se brenda një edicioni do t’i ndërroj tri klube në Kosovë, por kështu është puna e trajnerit, siç thonë se valixhet gjithmonë duhet të jenë gati. Kurrë nuk dihet se cili do të jetë klubi i ardhshëm dhe sfida tjetër, kurse deri atëherë do të mundohem të jap gjithçka nga vetja që klubi im aktual, në këtë rast Peja, të arrijë rezultatin më të mirë të mundshëm”, ka theksuar Radoviq.