Sport

Hadërgjonaj për KOHËN: Kosova mund të jetë befasia e grupit

Descriptive Text

Florent Hadërgjonaj, ditë më parë, kompletoi ndeshjen e tij të 23-të në Superligën e Turqisë me fanellën e skuadrës së Kashimpashës. Është një prej lojtarëve të rrallë të “Dardanëve” që po luan rregullisht te klubi turk këtë sezon. Vlerësohet prej më të mirëve te Kashimpasha, ndonëse klubi nuk ka treguar rezultate të mira dhe ndodhet në pjesën e poshtme të tabelës në elitën e futbollit turk. Por, Hadërgjonaj është i lumtur me formën që po kalon te Kashimpasha, pjesë e së cilës është edhe ish-futbollisti i Kosovës, Loret Sadiku.

Hadërgjonaj thotë se është gati ta japë kontributin e tij edhe te Kosova për ciklin e ri kualifikues për Botërorin “Katari 2022”, që nis pas pak javësh me dy ndeshjet më të vështira të saj, atë kundër Suedisë në Prishtinë më 28 mars dhe më 31 mars në Sevilla kundër gjigantes evropiane, Spanjës. Para këtyre dy ndeshjeve në Prishtinë, “Dardanët” e presin Përfaqësuesen e Lituanisë më 24 mars. Kjo ndeshje do të jetë miqësore. Por, për Hadërgjonajn dhe ekipin kosovar do të jetë shumë e rëndësishme. Do të jetë edhe grumbullimi i parë i Kosovës pas një kohe të gjatë. Ndeshjen e fundit futbollistët kosovarë e luajtën bashkë kundër Moldavisë më 18 nëntor të vitit të kaluar. E fituan me rezultatin 1:0 pas një serie të gjatë pa fitore.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, pranon se përballjet ndaj Suedisë dhe Spanjës janë të vështira. Por, ai pret paraqitje të mira përballë dy gjiganteve evropiane. Si Suedia, ashtu edhe Spanja e kanë siguruar kualifikimin në Evropianin që luhet këtë verë dhe llogariten favorite të Grupit B.

“Janë dy ndeshje të vështira për ne, por edhe një mundësi e mirë për të parë se a jemi ekip i mirë. Si gjithnjë, ne do të mundohemi ta japim maksimumin për vendin tonë, shtetin tonë”, ka thënë Hadërgjonaj të mërkurën mbrëma për KOHËN.

Hadërgjonaj 26-vjeçar është pjesë e Kosovës që prej qershorit të vitit 2019, ndërsa në 16 ndeshje ka shënuar një gol. Shënoi golin e vetëm ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup, në ndeshjen e plejofit për Evropian. Kosova humbi nga Maqedonia e Veriut 2:1 dhe mundësinë për t’u kualifikuar në Evropian. Në Evropian është kualifikuar Maqedonia e Veriut, pjesë e së cilës janë një numër i madh i shqiptarëve.

Por, Hadërgjonaj thotë se fokusi është për të ardhmen. Ai ka theksuar se do të mundohen që ta japin më të mirën në çdo ndeshje.

Përveç Suedisë dhe Spanjës, Kosova në Grupin B e ka edhe Greqinë e Gjeorgjinë. Me Greqinë ka luajtur edhe në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Humbi në Prishtinë, ndërsa barazoi në Athinë pa gola.

Por, Hadërgjonaj thotë se përvoja është fituar dhe se presin të paraqiten më mirë në ciklin e ri kualifikues të botërorit. Në ciklin e parë kualifikues të saj, Kosova pati dëshpëruar duke arritur vetëm një pikë, atë në ndeshjen e parë ndaj Finlandës në Turku (0:0). Më pas pati të gjitha humbje.

Hadërgjonaj insiston se është ende herët të thotë se sa pikë mund t’i marrë Kosova në këtë cikël të ri. Por, thotë se mund të jenë befasia e grupit.

“Është vështirë të deklarohemi qysh tash se ku mund të përfundojmë apo sa pikë mund të fitojmë, sepse nuk kemi luajtur edhe një kohë të gjatë bashkë. Kanë kaluar disa muaj edhe pse ne kemi parë njëri-tjetrin dhe kemi qenë në kontakt të rregullt. Por, shpresoj të bëjmë ndeshje të mira dhe si ekip të mundohemi të luajmë mirë. Me paraqitje të mira dhe të bashkuar mund të jemi befasia në këtë grup”, ka theksuar Hadërgjonaj.

Ai skuadrës turke iu bashkua në shtator të vitit të kaluar nga skuadra e Huddersfieldit. Por, te skuadra turke u transferua për të pasur më shumë minutazhë në fushë. Kështu edhe ndodhi. Madje, për të ka pasur raportime të shpeshta se interesim ka shprehur edhe Galatasaray, ndërsa edhe disa skuadra në Angli. Ai karrierë ka bërë edhe te Ingolstadti në Gjermani dhe te Young Boysi në Zvicër. Synimet e tij janë që të kthehet sërish në ndonjë ligë të fortë evropiane. Me paraqitjet e tij te Kashimpasha është i kënaqur.

“Personalisht ky sezon për mua deri tash ka qenë i mirë. Kam pasur ndeshje të mira, por me ekip kemi mundur të jemi më mirë, sepse kemi pasur synime të tjera. Jam i kënaqur te Kashimpasha dhe e ndiej veten shumë mirë. Por, në futboll kurrë nuk i dihet. Për momentin në Stamboll dhe te Kashimpasha po më pëlqen”, ka thënë Hadërgjonaj.