Sport

Broja synon të bëhet legjendë te Chelsea

Arnheim, 3 mars – Sulmuesi shqiptar Armando Broja synon që edicionin e ardhshëm të kthehet te Chelsea dhe të luftojë për një vend titullari tek ekipi anglez. Megjithatë, synimet e Brojës janë shumë më të mëdha se kaq. Ai haptazi ka bërë të ditur se dëshiron të shkojë hapave të Didier Drogbas, i cili është legjendë te Chelsea, pasi dëshiron të bëhet njëri prej sulmuesve më të mirë në Evropë. Broja, 19-vjeçar, para fillimit të këtij sezoni është huazuar në Holandë, te skuadra e Vitesses, ku aktualisht po shkëlqen. Ai me fanellën e ekipit nga Eredivisie ka shënuar dhjetë gola dhe ka bërë dy asistime në 23 ndeshje në të gjitha garat. Megjithatë, Broja dëshiron shumë më shumë sesa kaq.

“Kam shënuar nëntë gola, por kurrë nuk jam i kënaqur, pasi synimi im është që numri i golave të jetë shumë më i madh deri në fund të sezonit”, është shprehur Broja, i cili tashmë ka barazuar numrin e golave me Zlatan Ibrahimoviqin, që i pati shënuar në edicionin e tij të parë në kampionatin holandez me fanellën e skuadrës së Ajaxit. “Unë gjithmonë jam motivuar nga Didier Drogba dhe dua të shkoj hapave të tij. Dua të arrij nivelin e Drogbas dhe madje ta tejkaloj. Nuk do të jetë e lehtë, por ky është mentaliteti im”.

Broja është zhvilluar si futbollist në akademinë e Chelseat, kurse para një viti pati debutuar me ekipin e parë. Ai në muajin mars të vitit të shkuar u inkuadrua në katër minutat e fundit të ndeshjes kundër Evertonit, të cilën Chelsea e fitoi me rezultatin 4:0 në kuadër të Premier Leagues. Ai ka kontratë me Chelsean deri vitin tjetër, të cilën pritet së shpejti t’ia vazhdojë ekipi nga Londra, pas paraqitjeve të mira që po i tregon në kampionatin holandez. Broja shënoi një gol në fitoren 2:0 të Vitesses të martën mbrëma ndaj Venlos në gjysmëfinalen e Kupës së Holandës, triumf i cili bëri që ekipi sulmuesit shqiptar të kualifikohet në finale të kësaj gare. Forma e mirë dhe golat e Brojës në kampionat kanë bërë që Vitesse të renditet në pozitën e katërt në tabelë, me 45 pikë të tubuara pas 24 ndeshjeve të luajtura.

“Jam i kënaqur me paraqitjet dhe formën time, por mundem edhe më shumë dhe vazhdimisht po punoj për ta dëshmuar veten”, është shprehur Broja.

Sulmuesi i lindur në Angli është pjesë e Përfaqësueses së Shqipërisë. Ai debutoi me ekipin A të “kuqezinjve” në shtator të vitit të shkuar dhe deri më tani ka regjistruar tri paraqitje. Para se të ftohet me ekipin e parë, Broja ka luajtur edhe për gjeneratat U21, U19 dhe U17 të Shqipërisë.