Sport

Prishtina në pozitë të mirë për të vazhduar me pjesëmarrje të rregullt evropiane

Prishtinë, 2 mars – Kanë kaluar tetë vjet prej se klubi i futbollit Prishtina e fitoi për herë të fundit titullin e kampionit të Kosovës. Por Prishtina është skuadra e vetme në Kosovë që është paraqitur çdo vit në gara evropiane, pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Madje skuadra e kaltër është në rrugë të mirë ta sigurojë për herë të pestë rresht pjesëmarrjen në garat evropiane. Këtë vit synim e ka paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Katër herë Prishtina ka marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Evropës. Madje dy herë pjesëmarrjen në gara evropiane e siguroi në “kurriz” të skuadrave të tjera, përkatësisht Besës dhe Feronikelit. Dy herë të tjera doli në Evropë për meritë të saj, duke triumfuar në garën për Kupë të Kosovës.

Te Prishtina janë të vendosur që këtë vit ta fitojnë titullin dhe ta sigurojnë paraqitjen në kualifikimet e “Championsit”.

Prishtina është në vendin e tretë me 44 pikë, tri më pak se liderja Drita. Ndërsa është edhe në çerekfinale të Kupës. Pra ka dy mundësi që të dal në Evropë, për dallim nga Drita e Ballkani. Prej skuadrave pretendente për titull, Prishtina po kalon formën dukshëm më të mirë.

Trajneri Zekirija Ramadani thotë se Prishtina me paraqitjet e fillimit të këtij edicioni nuk e meritonte aspak daljen në Evropë.

“Në fillim të kampionatit ishim keq dhe nuk e meritonim aspak Evropën. Por tash gjërat kanë ndryshuar dhe kemi një ecuri pozitive si me rezultate ashtu edhe me lojë. Duhet të vazhdojmë edhe më tej derisa ta sigurojmë daljen në Evropë. Besoj se në Evropë mund të bëjmë paraqitje më të mira se që ka pasur klubi jonë deri më tani, duke besuar te grupi dhe organizimi i klubit”, ka thënë trajneri shkupjan të martën për KOHËN.

Ramadani edhe me Trepçën ’89 dhe Feronikelin ka dalë në Evropë. Me të dyja klubet ka qenë pjesëmarrës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ku Prishtina synon të arrijë edicionin e ardhshëm.

Titullin e fundit Prishtina e fitoi në edicionin 2012/2013. Ishte i dhjeti që prej pavarësimit të futbollit kosovar. Nga viti 1991 ka fituar edhe shtatë Kupa.

Nëpërmjet triumfit në Kupë, Prishtina edhe edicionin e shkuar siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Por pas dy tentimeve nuk arriti ta luaj ndeshjen kundër skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps. Në të dyja udhëtimet për në Gjibraltar, Prishtina kishte lojtarë të infektuar me koronavirus. Dhe e humbi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0.

“Për momentin objektivi është maksimumi deri në fund dhe të mundohemi ta arrijmë vendin e parë”, ka theksuar Ramadani.

Ramadani pjesë e Prishtinës është që prej fillimit të këtij edicioni. Prishtina ktheu disa lojtarë që i kishte vite më parë, ndërsa u përforcua edhe me disa të tjerë.

“Nuk mund ta krahasoj këtë Prishtinë me atë që ka qenë në edicionet e kaluara. Këtë mund ta analizojnë njohës të futbollit, por për këtë sezon Prishtina ka një vendosmëri më të madhe për të fituar ndeshjen. Kemi posedim të topit, krijojmë raste të punuara gjatë stërvitjeve dhe mbrohemi mirë. Këto janë karakteristikat që do ta kisha përshkruar Prishtinën e këtij edicioni”, është shprehur Ramadani.

Prishtina është në seri prej gjashtë fitoreve. Në 12 ndeshjet e fundit nuk ka pësuar asnjë disfatë. Në 22 xhiro ka shënuar 13 fitore, pesë barazime dhe katër humbje. Faza ofensive ka shënuar 37 gola, kurse ajo defensive ka pranuar 14.

Ramadani thotë se synimi kryesor është titulli, por nuk do të heqin dorë edhe nga triumfi në Kupë.

“Edhe në Kupë do t’i qasemi garës me seriozitetin më të madh, sepse edhe ajo është një rrugë për në Evropë. Do të shohim në fund të muajit maj a do të jetë ky viti i ynë apo jo, sepse nuk i parashikoj gjërat. Por premtoj se puna nuk do të mungojë aspak”, ka thënë Ramadani.

Një prej lojtarëve që është kthyer te Prishtina pas disa vjetësh është mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi. Edhe Krasniqi thotë se titulli është objektivi kryesor i tyre.

“Jemi në rrugë të mirë në të dyja frontet, si për Kupë ashtu edhe kampionat. Ne jemi të përqendruar që në çdo ndeshje që vjen ta japim maksimumin dhe të luftojmë deri në momentet e fundit për titull të kampionit. Prishtina gjithmonë lufton për titull dhe sivjet do të jetë ajo më kryesore. Jemi duke bërë një punë të mirë, por ende nuk kemi bërë asgjë, sepse ka ende lojë për t’u zhvilluar. Duhet të vazhdojmë ta japim më të mirën dhe në fund pse jo me meritë ta fitojmë titullin. Por do të jetë garë shumë e fortë deri në fund. Skuadra është mjaft e pjekur dhe mendoj se grupi i mirë qe e kemi brenda është një armë e fortë për neve. Jemi si familje”, ka thënë Krasniqi.