Sport

Shumë klube kineze në kolaps financiar

Rënia “tronditëse” e kampionit të Kinës, Jiangsu FC, po konsiderohet si shqetësim i madh për futbollin e këtij vendi. Jiangsu është në pronësi të konglomeratit “Suning”, i cili gjithashtu zotëron edhe Interin e Italisë. “Suning” njoftoi për “ndërprerjen e operacionit financiar në klub”, tre muaj pasi skuadra fitoi titullin e kampionit të Superligës së Kinës për herë të parë.

Në njoftim thuhej se po e mbyllin klubin për t’u fokusuar në ringjalljen e biznesit në vend. Jiangsu në vitin 2017 e kishte trajner italianin Fabio Capello, kurse në vitin 2019 ishte pranë transferimit të uellsianit Gareth Bale nga Real Madridi.

Problemet financiare në ligë mund të bëjnë që edhe ekipin rival i Jiangsu FC, Tianjin Tigers të kolapsojë këtë javë. Kolapsi i kampionit në fuqi gjithashtu shënon rënien e një kampionati që në mënyrë të vazhdueshme ka thyer rekordin e transferimeve aziatike vetëm disa vjet më parë, duke tërhequr një numër të madh yjesh nga Evropa. Megjithatë, shumë prej tyre janë larguar që nga atëherë.

“Duket e pabesueshme dhe tronditëse”, shkroi agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua” pas njoftimit nga Jiangsu.

“Xinhua” tha se 16 klube në tri nivelet e futbollit profesionist kinez kanë kolapsuar në vitin 2020, gjë që është shumë shqetësuese për këtë sport në Kinë. Superliga e Kinës fitoi një reputacion për joshjen e lojtarëve të njohur nga Evropa me paga të majme dhe tarifa të tepruara transferimi. Shanghai SIPG e transferoi Oscarin nga Chelsea në vitin 2017 për një rekord aziatik prej 60 milionë euro.

Por Federata e Futbollit të Kinës (CFA) që atëherë ka sjellë një sërë masash për të ulur shpenzimet, duke përfshirë një taksë transferimi 100 për qind dhe limitin e pagave. CFA-ja tha të hënën se ishte një “lajm i keq për tu dëgjuar” vendimi për Jiangsu FC por shtoi se respekton vendimin e klubit dhe u zotua se do të vazhdojë me përpjekjet e saj për ta bërë Kinën një fuqi kryesore të futbollit. Sidoqoftë kohët janë të vështira për klubet kineze, ku paratë filluan të pakësoheshin edhe para pandemisë së koronavirusit.

“Gjëja më e rëndësishme për momentin është rifreskimi dhe rifillimi. Në një farë mase ky shpërthim i kolapsimit të klubeve është i mirë, për shkak se ka ndodhur më herët sesa pritej. Futbolli kinez u rrit shumë shpejtë dhe këto janë pasojat e shpenzimeve enorme”, vazhdoi “Xinhua”. “Klubet duhet të respektojnë ligjet e futbollit, ligjet e tregut, t’i përmbahen trajnimit të rinjve dhe të punojnë për kohë afatgjate”.

Sezoni i ri në Superligën e Kinës, i cili pothuajse me siguri do të jetë pa klubet Jiangsu dhe Tianjin, pritet të fillojë në muajin prill, por nuk ka ndonjë datë të caktuar, për shkak të pasigurisë përreth koronavirusit. Kompania “Suning Group” e kishte blerë ekipin Jiangsu në fund të vitit 2015 dhe një vit më vonë e futi në pronësi Interin nga Serie A. Vendimi i kompanisë “Suning” prek të gjitha klubet e kompanisë me bazë në Kinë, përfshirë ekipin e femrave Jiangsu Suning, i cili fitoi titullin në vitin 2019.

Megjithatë, burime brenda kompanisë kanë insistuar se një vendim i tillë nuk do të ndikojë edhe te ekipi italian përkundër spekulimeve se Interi tashmë është nxjerrë në shitje.

“Federata Kineze e Futbollit shpreh keqardhje për pezullimin e operacioneve te Jiangsu FC por respekton vendimin e klubit. Jiangsu ka pasur një histori të lavdishme dhe që nga marrja e tij në vitin 2015 nga ‘Suning Group’ ka kontribuuar jashtëzakonisht në zhvillimin e futbollit në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e federatës kineze. “Federata do të punojë drejt zbatimit të reformës dhe planit të zhvillimit të futbollit të Kinës, me një theks në forcimin e zhvillimit të rinjve, përmirësimin e ligës profesionale dhe bashkimin e të gjitha forcave rreth futbollit kinez për të vazhduar përpara”.

Federata gjithashtu paralajmëroi se do të mundohet me të gjitha forcat që Jiangsu FC të mos shuhet dhe u zotua se do të mundohet të gjejë një blerës apo sponsor, në mënyrë që ekipi të vazhdojë të jetë pjesë e elitës së futbollit kinez, edhe pse një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë.