Sport

Skitarja Gut-Behrami fiton tjetër vend të parë në lëshim

Descriptive Text

Lara Gut-Behrami në formë e ka rritur edhe më shumë avantazhin e pikëve në renditje në Kupën e Botës në skijim alpin.

Skitarja zvicerane të shtunën e fitoi për herën e dytë garën e disiplinës së lëshimit, në Val di Fassa të Italisë.

Ishte triumfi i dytë brenda 24-orëve në këtë disiplinë.

Fituesja e çmimit “Crystal Globe” në vitin 2016, dy herë kampione e botës, dha paraqitje brilante. Ishte 1.29 sekonda më e shpejtë se rivalja kryesore Petra Vlhova, e cila e humbi vendin e parë në renditje nga Gut-Behrami të premten.

29-vjeçarja Gut-Behrami ishte 32 të qindtat më e shpejtë se bashkëkombësja dhe kampionia e botës në lëshim, Corinne Suter, dhe 68 të qindtat më e shpejtë se Kira Weidle, e cila e mori medaljen e argjendtë në Cortina d’Ampezzo.

Bashkëshortja e Valon Behramit fitoi për herën e shtatë në 11 garat e fundit. Tani i ka 107 pikë më shumë se Petra Vlhova e cila u rendit në vendin e 12-të.

Deri në fund kanë mbetur edhe nëntë gara për t’u zhvilluar.

Në Val di Fassa të dielën, Gut-Behrami është edhe favorite për ta fituar garën e disiplinës Super-G.