FBK-ja para fillimit të edicionit arriti marrëveshje me një kompani për transmetimin e ndeshjeve. Gjatë edicionit e prishi atë marrëveshje, duke u bazuar në mosrespektim të kontratës dhe firmosi me një kompani tjetër. Një vendim i gjykatës nuk i jepte të drejtë federatës, që paraqiti ankesë. Telashet u grumbulluan dhe kjo solli anulimin e ndeshjeve të së enjtes. FBK-ja nuk ka sqaruar situatën e pazakontë. Peja ka akuzuar FBK-në për kontrata të paligjshme
Prishtinë, 25 shkurt – Dy ndeshjet e fundit të xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll nuk janë zhvilluar fare të enjten, ndonëse skuadrat ishin të gatshme dhe dolën në parket.
Prania në palestra e dy platformave televizive, “Kujtesa” dhe “ArtMotion”, për transmetimin e ndeshjeve, vlerësohet se ndikoi që të dyja takimet të shtyhen për një kohë të pacaktuar. Dy kompanitë televizive ishin të pranishme në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe atë “Karagaçi” në Pejë, duke insistuar se e kishin të drejtën për transmetimin e ndeshjeve. Konflikti se kush do të transmetojë ndeshjet është më i vjetër, por situata u ndryshua në mënyrë dramatike të enjten.
“Kujtesa” është partneri më i ri medial i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), me të cilin ishte firmosur kontrata muajin e shkuar. “ArtMotion” pretendon se e ka të drejtën e transmetimit, duke u bazuar në një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës. ArtMotion kishte fituar rastin, pasi FBK-ja ia kishte shkëputur kontratën e transmetimit pa paralajmërim.
Fillimisht u shty ndeshja ndërmjet Ponte Prizrenit e Bashkimit derisa dy orë më vonë edhe ajo mes Pejës e Golden Eagle Yllit. Pas kësaj situate të krijuar kanë reaguar klubet që nuk kanë mundur të zhvillonin ndeshjet derisa në FBK kanë thënë se do të dalin me një njoftim në lidhje me situatën e krijuar vetëm të premten. Të enjten FBK-ja ka zgjedhur heshtjen, me gjithë shumë pyetjet pa përgjigje.
Në palestrën në Prizren lojtarët e të dyja ekipeve kishin dalë me kohë për të bërë nxehjet për ndeshjen e paralajmëruar se do të niste në orën 16:00. Megjithatë ata qëndruan në palestër deri në orën 17:00 përpara se të njoftoheshin për shtyrjen e ndeshjes. E gjithë situata në “Sezai Surroi” ishte direkt e transmetuar në platformën “Kujtesa”, ku krahas lojtarëve që ishin të habitur me situatën e krijuar shiheshin edhe drejtuesit e klubeve duke bërë vazhdimisht telefonata.
“Për shkak të disa problemeve për të drejtat mediale ndeshja e paraparë mes dy skuadrave të Prizrenit nuk është zhvilluar. Ndeshja zhvillohet të martën nga ora 17:00, sipas të gjitha gjasave”, ishte njoftimi i shkurtër nga Ponte Prizreni në Facebook.
Akuzat për marrëveshje të paligjshme
Megjithatë, më i rëndë ishte reagimi i KB Pejës që fajësoi Federatën duke thënë se ajo ka kontratë të kundërligjshme. Edhe për ndeshjen në Pejë, që duhej të niste në orën 17:00, gjithçka ishte gati dhe lojtarët e të dyja ekipeve dolën në parket për të qëndruar aty deri në orën 17:30. Mirëpo shkaku i paqartësive edhe kjo ndeshje sikurse ajo në Prizren u shty. Për Pejën, situata që solli shtyrjen e ndeshjes është absurde. Klubi pejan ka fajësuar Federatën për situatën e krijuar.
“Ndeshja e paraparë të zhvillohet nga ora 17:00 në mes të KB Peja dhe KB Ylli është shtyrë për një datë tjetër, përmes një thirrjeje telefonike të kryetarit te komesari. Kjo pasi që Federata e Basketbollit ka kontratë të dyfishtë kundërligjore me dy operatorë për transmetimin e ndeshjeve. Kompania ‘Art Motion’ ka fituar rastin në Gjykatën Themelore për prishje të paligjshme të kontratës dhe përsëri Federata insiston që ndeshjet të transmetohen nga ‘Kujtesa’. Me të vërtetë e hidhur dhe e trishtë situata. Ndeshjet anulohen për teke të disa personave, ndërsa shpenzimet e klubeve nuk i interesojnë askujt”, thuhet në qëndrimin e KB Pejës.
Reagim pati edhe nga skuadra e Suharekës, Ylli, që nuk dha shumë detaje por bëri të ditur se shkaku i mosmarrëveshjeve për të drejtat televizive erdhi deri te mos zhvillimi i takimit me Pejën.
“Për arsye të mosmarrëveshjeve lidhur me të drejtat televizive, ndeshja e paraparë të zhvillohet sot mes KB Peja dhe Golden Eagle Ylli shtyhet për një afat të pacaktuar!”, shkruan KB Ylli.
Në FBK kanë qëndruar të heshtur gjatë ditës së enjte. Askush nuk ka dashur të flasë në lidhje me këtë çështje siç e kanë quajtur të ndjeshme duke shtuar se gjatë ditës së premte do të dalin me një njoftim për gjithë situatën e krijuar.
Për dallim prej dy ndeshjeve që nuk u zhvilluan të enjten, të mërkurën nuk pati një situatë të tillë dhe dy ndeshjet e para të xhiros së 20-të, Sigal Prishtina – Vëllaznimi dhe Rahoveci - Trepça, u luajtën normalisht.
Marrëveshja e prishur
FBK-ja këtë edicion të Superligës së Kosovës e nisi me marrëveshjen e firmosur për katër vjet me platformën televizive “ArtMotion” për transmetimin e ndeshjeve të Superligës, përpara se ta zëvendësonte atë me platformën tjetër, “Kujtesa”. Kontratën me “ArtMotion” FBK-ja e firmosi në tetor të vitit të shkuar. Kurse njoftoi për shkëputjen e saj më 16 janar të këtij viti.
“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) njofton opinionin për risitë në basketbollin kosovar si rrjedhojë e nënshkrimit të marrëveshjes së re për sponsorizimin e Superligës së Kosovës dhe marrëveshjes së re për të drejtat e transmetimit ekskluziv televiziv të basketbollit kosovar. Me kontratën e re të nënshkruar me kompaninë ‘KUJTESA’ të gjitha fondet përkrahëse nga shitja e të drejtave televizive, si ai i pjesëmarrjes edhe ai i shpërblimeve, për klubet e Superligës do të shtohen për 50% dhe do të jenë të aplikueshme për 4 vjetët e ardhshëm”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e FBK-së. “Për më tepër, të gjitha ndeshjet e Superligës do të emetohen me ekip të plotë realizues, që do të thotë se do të ofrohet produksion shumë më cilësor, me 4-5 kamera dhe me mundësi të ngadalësimit dhe përsëritjes së situatave, që do të ndihmojë edhe procesin e referimit dhe sigurimit të ndarjes sa më të mirë të drejtësisë në ndeshjet tona”.
Pas këtij njoftimi, ndeshjet filluan të transmetoheshin në platformën tjetër, deri të enjten. Te “ArtMotion” thonë se e kanë fituar rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Në vendimin e datës 8 shkurt, të siguruar nga KOHA, thuhet se FBK-ja është e obliguar ligjërisht të pezullojë vendimin e vet të datës 11 janar dhe të lejojë platformën “ArtMotion” të transmetojë ndeshjet e Superligës së Kosovës në basketboll. Pas kësaj, FBK-ja ka parashtruar ankesë ndaj aktvendimit të fjalë dhe është në pritje të Gjykatës së Apelit, e cila pritet brenda pak ditësh të marrë vendimin e saj.
Në fillim të kësaj jave, saktësisht të martën, Bordi i FBK-së në mbledhjen e mbajtur ka marrë një vendim që vetëm kompania “Kujtesa” të ketë të drejtë qasjeje në palestra dhe për këtë ka njoftuar edhe klubet elitare.
“Sipas vendimit të Bordit të FBK-së, vetëm kompania ‘Kujtesa’ ka të drejtë të ketë qasje në palestrat në Kosovë ku zhvillohen ndeshjet e basketbollit dhe asnjë medie tjetër. Bordi i FBK-së ka marrë vendim që të mos lejojë asnjë medie tjetër të ketë qasje në palestrat ku zhvillohen ndeshjet e basketbollit deri në vendim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit, dhe se për këtë është në njohuri ish-partneri medial, ArtMotion”, thuhej në letrën e FBK-së.
“ArtMotion” edhe më herët kishte dërguar ekipet televizive në palestra, pasi e fitoi rastin në gjykatë. Por pas ankesës së FBK-së vendimi mbeti pezull dhe kësaj kompanie nuk iu lejua transmetimi. Gjendja ndryshoi në mënyrë drastike të enjten. Por nuk janë dhënë informata se çka ndryshoi në fakt.
Deri në fund të pjesës së rregullt të këtij edicioni kanë mbetur edhe tetë xhiro, kurse klubet e Superligës nuk e dinë nëse këtë vikend do të vazhdojnë garat sipas orarit të publikuar para fillimit të sezonit aktual.