Sport

Shtyhen ndeshjet e basketbollit

Derbi lokal i xhiros së 20 në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Bashkimit nuk është zhvilluar fare. Përkundër që lojtarët e të dyja ekipeve dolën në parket në kohën e duhur për ta luajtur ndeshjen në palestrën “Sezai Surroi” një gjë e tillë nuk ndodhi.

Pas më shumë se një ore pritjeje, u vendos që ndeshjet të luhet në një orar tjetër, sipas të gjitha gjasave javën e ardhshme. E deri te shtyrja e saj, erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve të platformave televizive “Kujtesa” dhe “Artmotion” në lidhje me transmetimin e ndeshjes.

“Për shkak të disa problemeve për të drejtat mediale, ndeshja e paraparë mes dy skuadrave të Prizrenit nuk është zhvilluar. Ndeshja zhvillohet të martën nga ora 17:00 sipas të gjitha gjasave”, ka shkruar KB Ponte Prizreni në Facebook.

Ndërkohë, nuk është zhvilluar as ndeshja e fundit e kësaj xhiroje në palestrën “Karagaçi” ndërmjet Pejës edhe Golden Yllit për shkak të çështjes së njëjtë. Edhe për fillimin e kësaj ndeshjeje ishte gjithçka gati, ku lojtarët pritën për më shumë se gjysmë ore në parket përpara se të informohen se dueli do të luhet për një datë tjetër.