Sport

Zhegrova e Kasami në ekipin më të dobët të xhiros

Sulmuesi i krahut, Edon Zhegrova dhe mesfushori Pajtim Kasami janë përzgjedhur në ekipin më të dobët të xhiros në kampionatin zviceran nga e përditshmja “Blick” të hënën. Si Zhegrova ashtu edhe Kasami ishin titullarë te Baseli që pësoi humbje të dielën e shkuar në udhëtim nga Zuerichu me rezultatin 2:0.

Kasami luajti tërë ndeshjen derisa Zhegrova u zëvendësua në minutën e 72-të por nuk patën paraqitje të mirë. Sipas të përditshmes “Blick” me këtë paraqitje, ata kanë zënë vendin në ekipin më të dobët të xhiros së 20-të. Sipas së përditshmes zvicerane, Zhegrova është kritikuar nga trajneri i Baselit derisa Kasami pothuajse nuk është vërejtur fare në pjesën e parë të lojës.

“Ylli i Baselit, Pajtim Kasami u zhduk tërësisht në pjesëlojën e parë”, shkruajti “Blick” që për Zhegrovën, shtoi se “ai u qortua nga trajneri për shkak se nuk gjuante si duhej por mundohej të bënte parabola”.