Sport

Ismajli fitoi duelin me Ibrahimoviqin, por thotë se qëndron me këmbë në tokë

“Ismajli ndal Ibrën”. Ky ishte titulli i një prej shkrimeve të publikuara në fundjavë në mediumet e Italisë për paraqitjen e Ardian Ismajlit në ndeshjen që skuadra e tij Spezia e fitoi të shtunën ndaj liderit të Serie A, Milanit, me rezultatin 2:0.

Ismajli ishte një nga lojtarët më të dalluar në ndeshjen që vet futbollisti prishtinas e cilëson një nga më të mirat në karrierë. Ai shkëlqeu duke mos e lejuar yllin suedez të Milanit, Zlatan Ibrahimoviq të shënojë gol.

Ibrahimoviq është golashënuesi më i mirë te Milani me 14 gola këtë edicion, ndërsa Ismajli për duelin e fituar kundër tij u vlerësua me notën 8. Ai pati gjashtë duele të rëndësishme të fituara gjatë ndeshjes.

“Të gjithë e duartrokitën paraqitjen e Ismajlit që arriti ta ndalë aftësinë e Ibrahimoviqit në zonën e sulmit”, shkruan “lanazione.it”.

Për qendërmbrojtësin 24-vjeçar ishte paraqitja e gjashtë këtë edicion në Serie A, ndërsa javën e shkuar ai asistoi në fitoren ndaj Sassuolos.

Ismajli ka thënë se ka qenë i motivuar goxha shumë për ndeshjen kundër Milanit. Ai ka theksuar për KOHËN se me plot meritë u ka takuar fitorja.

“Kemi punuar gjatë gjithë javës dhe e kemi analizuar mirë ekipin e Milanit. E kemi ditur forcën e tij e po ashtu edhe unë duelin që do ta kisha me një nga sulmuesit më të mirë në botë, Zlatan Ibrahimoviq. Por, kam pasur motiv të madh dhe ia kam dalë me punë ta ndihmoj ekipin drejt kësaj fitoreje të madhe. Unë nuk do të kënaqem me kaq, do të punoj edhe më shumë për ta ndihmuar klubin tim. Ishte një fitore e madhe për neve, sepse kemi arritur ta ndalim liderin e Serie A. Nuk ka qenë ndeshje aspak e lehtë, ka qenë me duele të shumta, por ne arritëm t’i shfrytëzojmë rastet për gol dhe ia dolëm me sukses”, ka thënë Ismajli.

Ismajli te Spezia u transferua në shtator të vitit të kaluar nga skuadra e Hajdukut të Splitit. Ai pret që të luajë rregullisht deri në fund të këtij edicioni te Spezia, ndërsa në një të ardhme të afërt të luajë për ndonjë skuadër më të madhe. Reprezentuesi i Shqipërisë thotë se është ambientuar goxha mirë dhe se i përshtatet futbolli italian. Në fillim është përballur me koronavirus, ndërsa thotë se ka kapur shpejt ritmin e lojës në Itali.

“Kjo fitore na motivon edhe më shumë për ndeshjet e radhës. Do të qëndroj me këmbë në tokë dhe do të shoh para për të ardhmen time. Puna ime është të ndal sulmuesit dhe ia kam dalë ta kryej më së miri këtë detyrë. Ka qenë një prej ndeshjeve më të mira për mua. Kam marrë vlerësime pozitive edhe në skuadër e po ashtu edhe nga njohës të futbollit në Itali. Fokusi im është vetëm në ndeshjet e ardhshme”, ka deklaruar Ismajli.

Ardian Ismajli karrierën e ka nisur te 2 Korriku i Prishtinës. Pak ka qëndruar edhe te Prishtina si i huazuar, derisa te Hajduku i Splitit u transferua në fillim të vitit 2016. Fillimisht luajti te ekipi i dytë i Hajdukut, por për një periudhë shumë të shkurtër ai u bë titullar te ekipi i parë i klubit kroat. Atëbotë ishte pjesë e Shpresave të Kosovës. Luajti edhe në miqësoren e vitit 2018 për Përfaqësuesen A të Kosovës në fitoren 3:0 ndaj Shqipërisë. Por, më pas vendosi të bëhej pjesë e Përfaqësueses së Shqipërisë. Për Shqipërinë që nga viti 2018 ka shënuar një gol në 14 paraqitje. Mbrojtësi i qendrës shpreson të ketë suksese edhe me Përfaqësuesen e Shqipërisë.

“Sigurisht që paraqitjet me ekip ndikojnë shumë edhe në paraqitjen me Shqipërinë. Shpresoj që secili prej nesh të luaj sa më shumë në klubet e tyre për të qenë më të fortë përballë kundërshtarëve. Kemi ndeshje të rëndësishme dhe shpresoj fillimisht që të gjithë të jemi mirë me shëndet dhe të gatshëm për kombëtaren. Është krenari të luash për fanellën e Shqipërisë”, ka thënë Ismajli.

Milani renditet i pari me 49 pikë nga 22 ndeshje. Spezia është e 13-ta me 24 pikë.