Sulmuesi Florian Thauvin pritet t'i bashkohet skuadrës së Milanit në fund të këtij edicioni kur edhe i skadon kontrata me Olympique Marseillen. “Tuttosport” ka raportuar të premten se Thauvin tashmë ka arritur marrëveshje me Milanin dhe së shpejti pritet të zyrtarizohet. 28-vjeçari te Milani do të ketë pagë vjetore prej 3.5 milionë eurosh për tri vitet e ardhshme.
Ai këtë edicion ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar nëntë herë në 28 ndeshje për Marseillen në të gjitha garat. Ndërkohë, krahas tij, te Milani pritet të transferohet edhe mesfushori brazilian Otavio. 23-vjeçari që këtë edicion ka dy gola e tetë asistime në 22 ndeshje për Porton, do t’i bashkohet Milanit si lojtar i lirë pasi në verë i skadon kontrata me ekipin portugez.